Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një interviste në A2 CNN mohoi se do të ketë negociata të fshehta për zgjidhjen e krizës politike.

Kryemadhi nguli këmbë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar dhe qëndrimin e saj të ndryshëm nga Lulzim Basha për t’u përballur në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ajo e shpjegoi me arsyetimin se femrat janë më sfiduese se meshkujt.

“Unë gjithmonë e kam thënë që politika duhet të përballet me sfidat e saj. Basha ka shumë të drejtë sepse në çfarë zgjedhjeje do të hysh me një kryeministër që akuzohet për bashkëpunim me krimin për vjedhjen dhe blerjen e votës?

Qoftë SHBA dhe BE nuk negociojnë me kriminelët, vetëm negociata të fshehta bëjnë.

Politika shqiptare ka negociuar fshehtas këto 30 vjet dhe prandaj nuk e kemi kaluar tranzicionin.

Portalet pranë Ramës trumpetojnë se do të ketë negociata të fshehta, por absolutisht nuk ka. Jemi në unison.

Ne nuk kemi problem dialogun, e ka problem Edi Rama.

Por, dialogu duhet të jetë institucional, ne nuk bëjmë dialog sa herë ka Rama problem. Një nga kushtet për hapjen e negociatave është dialogu.

Dialog për gjithçka. Unë them që femrat janë më sfiduese se meshkujt. Pranojnë të përballen”, tha Kryemadhi. (TemA)