Kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, i bëri apel sot të gjithë qytetarëve kavajas të sensibilizohen për të mbajtur pastër qytetin.

Duke sjellë në vëmendje ankesat dhe denoncimet e qytetarëve Krali shprehet se “vazhdojnë çdo ditë denoncimet qytetare për kosha të pazbrazur, për mungesë shërbimesh, për grumbullime mbeturinash e të tjera plot të atij lloji e soji që e la Kavajën me grumbuj mbetjesh në çdo zonë. Ndodhemi në sfidë me kohën për t’iu përgjigjur çdo ankese dhe në këtë sfidë kemi nevojë për ndihmën tuaj”.

Kreu i bashkisë shprehet se “duhet të sensibilizohemi dhe të gjithë bashkë t’i rikthejmë dinjitetin e merituar Kavajës”.

“Të mbajmë pastër ambientet e përbashkëta dhe ti hedhim mbeturinat në vendet e caktuara. Kavaja është shtëpia jonë, aty ku rrisim fëmijët tanë e mirëpresim plot miq. Të prezantohemi si na ka hije”, tha Krali.

Kryebashkiaku Krali tha se “puna është përgjigja, Kavaja është e qytetarëve, prandaj duhet të sensibilizohemi të mbajmë pastër shtëpinë tonë”.

Pas denoncimit të qytetarëve, bashkia e re e Kavajës ndërmori ditët e fundit një aksion të gjerë duke pastruar në kohë rekord edhe pirgjet me mbeturina në zonën turistike të Golemit.