Speciale http://Lexo.al
Sa mund të konsiderohen normale, veprimet e një njeriu që ka probleme të tilla? Si është e mundur që një person që në polici pretendon se ka dobësi shëndetësore, vetëm pak orë më herët ishte në vijën e parë të luftës së kryetarit të tij, duke marrë gura dhe goditur policët? Si mundet që një zyrtar i lartë të transformohet befas, nga “komandanti trim” i grupit të zjarrit të PD, në “të sëmurin” që i kërkonte policisë “t’mos ia vinte re” se kishte dhimbje në gjoks? A ka gjasa që të jetë i sëmurë një zyrtar partie që, pasi vë në lëvizje fytyrëmaskuarit që e ndjekin pas me molotovë, të nisë një galop të atillë, sapo sheh që ushtarët e kanë braktisur dhe përballë ka policët që ruajnë ligjin dhe institucionet?

Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme në orët e vona të natës së djeshme, atëherë kur pjesa më e madhe e qytetit, dhe Shqipërisë kishin rënë në gjumë. Domethënë, ajo pjesë që nuk ka fatin të banojë pranë godinës së Parlamentit apo Drejtorisë së Policisë, ku shashkat dhe molotovët e militantëve të Bashës, ua bënë gjumin të pamundur në këtë fundjavë.

Sebepi ishte Sahit Dollapi. Po çfarë ndodhi me ish drejtuesin e OSSH dhe OSHEE, në një nga periudhat më të zeza të këtij institucioni, kur galopi i korrupsionit mund të krahasohej vetëm me vrapin e Sahitit tek i largohej policisë?

CV-ja e mbushur me afera korruptive e Sahit Dollapit, e ka ndihmuar të kualifikohet dhe të emërohet nga Lulzim Basha Sekretar Organizativ të Partisë Demokratike. Vetëm se, dje në protestë, në përballjen me policinë, vetëm si i tillë nuk u shfaq Dollapi.

Po çfarë bëri dje Sahit Dollapi, që Lulzim Basha e shpalli “hero”, dhe opozita e bashkuar e vuri në qendër të kauzës “madhore” për të rinisur protestat sot dhe të hënën?

Pamjet filmike të televizioneve treguan Sekretarin Organizativ të Bashës, në orët e para të protestës para godinës së Kryeministrisë. Në të njëjtën kohë që kryetari i tij u drejtohej militantëve me zërin që sa vinte e mekej, Sahiti kërcënonte dhe shante policët, ulej përtokë dhe merrte gurë, për t’i goditur më pas në drejtim të tyre. Dhe e gjithë kjo, në një moment kur situata pranë koordonit të policisë ishte relativisht e qetë. Përplasjet e militantëve trup më trup me policët, nisën në fakt, menjëherë pasi Sahiti dha kushtrimin me këto veprime.

Më tej, Sahiti u zhduk nga kamerat për pak kohë. U zhduk nga kamerat por jo nga ngjarjet. Sepse Sekretari organizativ vazhdoi të bëjë rolin që i është ngarkuar këto kohë: “komandant” i grupit të zjarrit të Lulzim Bashës, që udhëzonte fytyrëmaskuarit e PD-së të lëshoheshin me molotovë dhe shashka kundër policisë. Sahiti është gjithashtu përgjegjës për furnizimin me bazë materiale të këtij grupi zjarri – shishe, benzinë, fitila, fishekzjarre, kapsolla, shashka – bazë e cila përgatitet në zyrat e SHQUP-it.

Në një moment, kur grupit të zjarrit i mbaroi baza materiale, Sahiti me kundragaz në dorë, shkoi të përballet me policinë. Vetëm se këtë herë, përballë nuk kishte kordonin policor përpara Kryeministrisë, por Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kishin marrë në kontroll një institucion të rëndësisë së veçantë, që në ato momente po synohej t’i vihej zjarri nga “komandant” Sahiti dhe grupi i tij i guerrilasve.

Normalisht, nga një Sekretar Organizativ, do të pritej që të hiqte maskën, të identifikohej, të komunikonte me policin dhe të largohej. Pamjet tregojnë Sahitin që përpiqet të vërë maskën, dhe policin që me një edukatë të pazakontë për momentin e tensionuar i kërkon të largohet. Sahiti nuk largohet, por vazhdon të shfryjë. Vetëm se, kur sheh të afrohen forcat speciale, trimëria e Sahitit ia lë vendin një veprimi sa të pazakontë për një zyrtar partie, aq edhe QESHARAK.

Dollapi, që më vonë në polici do të ankohej për dhimbje gjoksi, për pacemaker, për probleme me shëndetin, nis një vrap me të katra. Në çdo vend të botës, në Amerikë, kudo, në një situatë të tillë policia që sapo ka dhënë urdhër, do të dyshojë automatikisht për arsyet që një person i gjendur në mesin e një situate guerriljeje, “ia fut vrapit”. Dje, policisë nuk iu desh shumë mund për ta ndaluar, sepse Sahiti u pengua me këmbët e veta, dhe më pas u kap nga policët dhe u dërgua në komisariat.

Vetë Sahiti kur ndodhej në komisariat, por edhe Presidenti Ilir Meta, u kujdesën të bëjnë të njohur problemet me zemrën, faktin që ka kryer bypass-e etj. Por pyetjet që lindin janë: Sa mund të konsiderohen normale, veprimet e një njeriu që ka probleme të tilla? Si është e mundur që një person që në polici pretendon se ka dobësi shëndetësore, vetëm pak orë më herët ishte në vijën e parë të luftës së kryetarit të tij, duke marrë gura dhe goditur policët? Si mundet që një zyrtar i lartë të transformohet befas, nga “komandanti trim” i grupit të zjarrit të PD, në “të sëmurin” që i kërkonte policisë “t’mos ia vinte re” se kishte dhimbje në gjoks? A ka gjasa që të jetë i sëmurë një zyrtar partie që, pasi vë në lëvizje fytyrëmaskuarit që e ndjekin pas me molotovë, të nisë një galop të atillë, sapo sheh që ushtarët e kanë braktisur dhe përballë ka policët që ruajnë ligjin dhe institucionet?

Janë të gjitha pyetje që duhet të ngrihen, përballë atyre që po përpiqen në këto orë të injorojnë luftën guerrilase që Sahiti me shokë i bënë shtetit dje, dhe të flasin vetëm për “heroin” që i dha Lulzim Bashës, arsyen për të dalë dhe një herë në protestë. (Xh.Salla)