Kroçera “MSC Mucia” po zbarkon pothuajse çdo javë në portin e Sarandës, duke sjellë mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “në bordin e kroçerës që erdhi dje nga porti i Pireut, Greqi, ishin 3 111 turistë nga Taiwan, Kinë, Tajlanda, Ukraina, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, Rusia, Uruguaji, Zelanda e Re, etj”.

Turistët e huaj gjatë qëndrimit në Sarandë vizituan pikat turistike të qytetit, si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, si dhe qytetin e Gjirokastrës.

Sipas portit të Sarandës, pas vizitës në Sarandë kroçera u drejtua në portin e Dubrovnikut, në Kroaci.

Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike. Vetëm gjatë këtij viti në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik ka një fluks të shtuar.

Saranda e njohur për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal është kthyer në destinacionin e preferuar të turistëve vendas e të huaj. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.