Emri i kryeministrit të ardhshëm italian është pengesa kryesore në bisedimet mes partisë Pesë Yjet dhe partisë së qendrës së majtë (demokratike), pasi liderët po përpiqen të formojnë një qeveri të re dhe afati është deri të martën, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme që mund të vendosin MatteoSalvinin në krye të një koalicioni të ekstremit të djathtë.

Kryetari i PD-së, Nicola Zingaretti, kundërshton kërkesat e homologut të tij të Lëvizjes Pesë Yjet Di Maio i cili kërkon që Giuseppe Conte të rikthehet si kryeministër. Por conte dha dorëheqjen të martën e kaluar duke i thënë fund aleancës fatkeqe 14-mujore mes Pesë Yjeve dhe partisë së ekstremit të djathtë La Lega.

Ndërkohë, në samitin e G7-ës të mbajtur ditën e shtunë në Biarritz, Conte tha se nuk do të bëhet sërish kryeministër dhe nuk ka ndërmend të kthehet në udhëeqjen e një qeverie mes La Legës dhe Pesë Yjeve.

Italia u zhyt në krizën politike në fillim të këtij muaji, kur Salvini tërhoqi partinë e tij nga koalicioni duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Fuqia për të shpërndarë parlamentin dhe për të njoftuar zgjedhje të reja i takon presidentit Sergio Mattarella, i cili të enjten u dha partive kryesore të Italisë afat deri të martën për të formuar një qeveri të fortë alternative.

Zingaretti ka parashtruar disa kushte të vështira, që fillimisht të rrëzohet ligji i rreptë anti emigracionit dhe angazhimin për të mbetur me një lidhje të fortë me BE-në. Sipas mediave italiane një emër i përfolur deri tani, por ende asgjë zyrtare është Roberto Fico, një emër që PD do e mbështeste, ai është anëtar i Levizjes Pesë Yjet dhe kryetar i dhomës së ulës. Ai është një kundërshtar i Salvinit sidomos për thirrjet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj emigrantëve.

Një sondazh ka zbuluar se 41% e italianëve mbështesin zgjedhjet e reja. Nëse Mattarella i njofton zgjedhjet së shpejti, ato me siguri do të zhvillohen në tetor ose nëntor.