Krijohet rrjeti i komisioneve parlamentare për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor (HUGEN).

Në Podgoricë të Malit të Zi u zhvillua konferenca vjetore rajonale parlamentare “Fuqizimi i bashkëpunimit rajonal dhe mbikëqyrja e legjislacionit të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Gjatë takimit u krijua rrjeti i komisioneve parlamentare për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor (HUGEN).

Përveç krijimit të rrjetit, programi synon zhvillimin e mekanizmave të bashkëpunimit parlamentar për të drejtat e njeriut dhe çështjet gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor; forcimin e aftësive të stafit me qëllim përmirësimin e praktikave të mbikëqyrjes së komisionit dhe krijimin e mekanizmave të kontrollit pas miratimit të ligjit, nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut dhe aspekti gjinor; forcimin e kapaciteteve të parlamentarëve për mbikëqyrjen parlamentare dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve; vlerësimin e ndikimit të ligjeve të miratuara në shoqëri.

Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga zëvendëskryetarja e Kuvendit dhe kryetarja e nënkomisionit parlamentar “Për të drejtat e njeriut”, Vasilika Hysi, kryetarja e nënkomisionit parlamentar “Për barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj gruas”, Eglantina Gjermeni, kryetarja e komisionit parlamentar “Për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, Fatjona Dhimitri dhe këshilltarja pranë komisionit “Për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut”, Edlira Rama.