Kreu i ASHK Durrës, Liridon Pula në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bulevard”
Me hyrjen në fuqi të ligjit 111/2018, ligj i cili solli edhe emërimin tuaj si drejtor të ASHK Durrës, institucionet si ALUIZNI dhe ZVRPP, u futën në fazën e ristrukturimit dhe riogranizimit. Për lexuesin, por pse jo dhe për të interesuarit e shumtë, çfarë do të ndodhë me këtë institucion, zoti Drejtor?

Me krijimin e këtij institucioni do të bëhet i mundur regjistrimi i gjithë tokave bujqësore të fituara me ligjin 7501/1991, pasi deri më sot, nga ana e ish ZVRPP nuk është kryer asnjë rast regjistrimi i tokës bujqësore konform vkm 994/2015 “Për proçedurën e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi”, pasi nga ana e Bashkisë Durrës, deri më sot nuk është proçeduar në zbatim të kësaj VKM- je. Tashmë kjo proçedurë e rakordimit të sipërfaqes së afishuar në pronësi të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë me sipërfaqjen e fituar me AMT,P do të kryhet nga ASHK konform përcaktimeve të bëra në ligjin 111/2018 “Për Kadastrën” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Po kështu, trajtim dhe zgjidhje e një problematike jo pak të rëndësishme dhe të mëdha në numër janë dhe rastet e trojeve të dhëna nga pushteti lokal i asokohe për shesh ndërtimi, konkretisht Këshilli i Rrethit.

Si do të gjejnë zgjidhje këto, z.Pula?

Këto raste do të gjejnë zgjidhje me miratimin e draftit ligjor që po përgatitet për kalimin në pronësi të trojeve të dhëna për qëllim ndërtimi. Njëkohësisht do të kemi unifikim të HTR së punës, pasi deri më sot, një ndër problematikat e hasura ka qenë dhe mospërputhshmëria e hartave të ish ZVRPP dhe ALUIZN-it. Konkretisht në bazë, të vkm nr. 1095 dt 28.12.2015 “Për përcaktimin e rregullave të b/rendimt të punës ndërmjet ish ZVRPP dhe ALUIZN-it dhe vkm 245/2015 “Për procedurën e përmirësimit dhe përditësimit” kjo procedurë në lidhje me përmirësimin dhe përditësimin e HTR do të kryet nga ana e këtij institucioni të ri.

Një problematikë duket se është edhe statusi i dhënë nga ish ZVRPP në lidhje me parcelat ndërtimore…

Po, në fakt, keni të drejtë. Një problematikë e hasur është dhe statusi i dhënë nga ish ZVRPP në lidhje me parcelat ndërtimore, kjo që po thoni ju dhe kjo pasi, pas këtij momenti nga ana e këtij institucioni është lejuar kryerja e transaksionit, ndërkohë që nga ana e Aluiznit ishte nisur materiali për kompensim financiar në emër të pronarit të gjendjes së statusit fillestar. Kjo situatë na çonte në çbërjen e gjithë punës së sipërpërmendur.

Ju nuk keni shumë kohë që e keni marrë këtë detyrë dhe natyrisht bashkimi i tre institucioneve në një të vetëm nuk ka vetëm vështirësitë ligjore të integrimit të tyre, por edhe infrastrukturën. A keni konstatuar ju problematika të trashëguara?

Gjatë ushtrimit të detyrës sime është konstatuar një problematikë e trashëguar në lidhje me dokumentacionin shoqërues të lejes së legalizimit, i cili ka patur mangësi të caktuara. Kanë qenë rreth 1500 leje legalizimi të paregjistruara, të cilat po marrin zgjidhjen dhe qytetarit po i ofrohet shërbimi i kërkuar. Siç dhe u tha më lart, kemi 1000 leje legalizmi të regjistruara tashmë nga ky stoku i 1500 lejeve. Sot kemi 1000 qytetarë të cilët kanë në shtëpitë e tyre çertifikatat e pronësisë. Gjithashtu pengesë e kësaj zyre, krahas problematikave të mësipërme, është dhe korrespodenca që mbahet me Bashkinë për rakordimin e sipërfaqeve të tokave buqësore. Nga kjo e fundit, në të shumtat e rasteve nuk kemi zbatimin e VKM 994/2015 . Është premtim i kryetares së re të Bashkisë Durrës, pas takimit që ne kemi kryer me të dhe me grupet e interesit, që bashkëpunimi midis dy institucioneve do të jetë i shpejtë dhe efikas.

Le të rikthehemi edhe një herë te bashkimi i këtyre institucioneve. Në cilën fazë jemi tani dhe sa ka ndikuar kjo, që qytetari ta ndjejë qëllimin për të cilin u bë ky bashkim?

Aktualisht kemi kryer bashkimin de facto të dy institucioneve dhe ASHK, Drejtoria Vendore e Durrësit ndodhet në ambjentet e ish-ZVRPP Durrës, që ishte domosdoshmëri imediate në lidhje me ecurinë e këtij misioni. Për 2 muaj, përkatësisht në harkun kohor 08.05.2019 – 23.07.2019 janë lëshuar 3500 çertifikata pronësie, nga të cilat 1000 çertifikata të përfituara nga regjistrimi i Lejeve të Legalizimit të mbartura.

Ka shumë problematikë të hasur edhe në banesat e privatizuara me ligjin 7652, ligj i njohur ndryshe si ai i privatizimit të banesave shtetërore…

Po, e vërtetë. Për sa i përket banesave të privatizuara me ligjin 7652 datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” një problematikë e hasur nga ana e institucionit tonë në punën e përditëshme është se një pjesë e apartamenteve të cilat i janë nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, u mungon Akti Noterial sipas përcaktimeve të bëra në nenin 83 te K.C, në të cilën përcaktohet shprehimisht se: veprimi juridik për kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, duhet të bëhet me akt notarial dhe të regjistrohet, përndryshe nuk është i vlefshëm. Përsa i përket procedurës së lejeve të legalizmit, sipas urdhërit të drejtorit të përgjithshëm z.Artan Lame, nr 2877 dt 10.04.2019, duhet të mbyllim vetëdeklarimet e kryera në 2005-2006.

Kemi ndonjë detaj nga puna juaj këto ditë dhe pse duken si ditë pushimi?

Nuk bëhet fjalë për pushime. Specialistët e përditësimit të terrenit këto ditë ndodhen në zonën e Durrësit të ri apo siç njihet ndryshe, në zonën e ish – Kënetës.

Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që bëhet një apel, si do ta formulonit ju atë për qytetarët që duhet të marrin kontakt me ju dhe që natyrisht, kanë dhe paqartësi?

Kërkohet mbështetja e të gjithë qytetarëve, të mirëpresin grupet për të kryer evidentimet përkatëse për të mbyllur përfundimisht procesin e legalizmit në këtë zonë. Për çdo lloj kërkese, paqartësie, të gjithë aplikuesit për t’u bërë pjesë e procesit të legalizimit, janë të lutur të paraqiten pranë Zyrave të ASHK Durrës, nga ora 08.00-16.00, kontakti do të jetë drejtëpërdrejtë me drejtuesit. Çdo kërkesë e qytetarëve, për sa i përket viteve të deklarimit 2005-2006, do të konsiderohet në mënyrë të mënjehrëshme. Ftohen të gjithë qytetarët e zonave informale të ofrojnë mbështetjen e tyre dhe mirëkuptimin në këtë nismë. Kuptojmë secilin prej tyre për lodhjen, për pritjen, por të na mirëkuptojnë, po haset vështirësi në objekte të cilat nuk banohen, për të cilat nuk mund të kryejmë evidentimet përkatëse. Specialistët e ASHK Durrës janë në shërbim të qytetarëve dhe gjatë ditëve të pushimit. Janë gati 150 faturat e para të dosjeve të kualifikuara në pritje të pagesave, të cilat i kanë përfituar me 50% zbritje, me një afat prej 45 ditësh nga dalja e tyre. Bashkëpunimi me qytetarët është primar për ne dhe në fund, është ky bashkëpunim i cili do të japë frutet e punës sonë. |Bulevard News|