Kosova ka qenë kryefjalë e mediave britanike në ditët e fundit. Mikpritja që gjetën “Tre Luanët” në Prishtinë, me rastin e ndeshjes kualifikuese të “Euro 2020”, ishte mbresëlënëse për kombëtaren e njohur të futbollit. Futbollistët e kombëtares angleze, të cilët kishin ndeshur racizëm gjithandej, u befasuan me pritjen që në aeroport, në rrugët e kryeqytetit kosovar, në hotel dhe ndeshje. Pas fitores 4-0, ata nuk ngurruan ta evidentojnë këtë fakt, duke e konsideruar mikpritjen e Kosovës si unike.

Me të njëjtin mendim janë larguar edhe tifozët anglezë, që gjetën “parajsën” në Prishtinë. Njëri mes tyre ka përjetuar një histori të veçantë, që ka dashur ta ndajë me të gjithë përmes rrjeteve sociale. Fjala është për Steve Bruce, i cili humbi kuletën me 500 stërlina në të, në Prishtinë. Por, nuk ka vonuar shumë dhe ajo i është rikthyer në dorë nga një djalosh kosovar, që e kishte gjetur në një rrugë të Prishtinës.

Në fakt, shqetësimi i tifozit anglez ishte më së shumti për kartat e kreditit dhe të identitetit, edhe pse shuma financiare nuk qe e vogël. “Më ra kuleta në rrugën kryesore në Prishtinë. Një djalosh hyn në lokal dhe ma kthen, pa më marrë asgjë në të. Sinqerisht, Kosova është e madhe”, – shkroi Bruce në llogarinë e tij në Twitter.