Kryeministri Ramush Haradinaj, priti në takim lamtumire ambasadorin e deritanishëm të Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, të cilin e falënderoi për kontributin e dhënë gjatë misionit të tij, në ndërtimin e marrëdhënieve të mira bilaterale Kosovë– Maqedoni.

“Kosova dhe Maqedonia kanë treguar partneritet të mirë politik, ekonomik dhe diplomatik përgjatë këtyre viteve dhe ky partneritet duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke thelluar edhe më shumë marrëdhëniet tona si shtete fqinje”, theksoi Haradinaj.

Sipas tij, vetëm fqinjësia e mirë mund të sjellë paqen e qëndrueshme, e cila në Ballkan është tejet e nevojshme.

Në këtë takim u diskutua edhe për vazhdimësinë e marrëdhënieve të mira diplomatike ndërshtetërore.

Ambasadori i deritanishëm i Maqedonisë në Republikën e Kosovës, Ilija Strashevski falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe angazhimin për marrëdhënie të mira bilaterale mes dyja vendeve.