Këshilli bashkiak i Lezhës u konstituua sot, ndërsa ka bërë betimin edhe kryebashkiaku i ri i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Pjerin Ndreu. I pranishëm në ceremoni, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi se Ndreu do të shërbejë gjatë mandatit të tij për të gjithë lezhjanët.

Ministri Lleshaj shtoi se premtimet për zhvillimin ekonomik të zonës janë përkthyer në projekte konkrete, të cilat kanë mbështetje nga qeveria.

“Për 4 vitet e ardhshme do të ketë më shumë vëmendje për turizmin, agrikulturën dhe infrastrukturën. Lezha duhet të marrë dinjitetin që i takon, qoftë nëpërmjet mirë-administrimit të pushtetit vendor, ashtu dhe prej mbështetjes qeveritare. Ky qytet historik duhet të përbëjë një nyje tërheqëse për turizmin dhe nëpërmjet Shëngjinit, duhet të kthehet në një portë të rëndësishme komunikimi të Shqipërisë me botën” shprehet ai.

Po ashtu ministri Lleshaj shprehet se ishte kënaqësi që në ceremoni sot mori pjesë dhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.