Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi në parim projektligjin “Për shtetësinë”

Të ftuar në mbledhjen e këtij komisioni ishin Rovena Voda, Zëvendësministre e Brendshme, Pablo Zapata, Ambasasdor i UNHCR, Alma Mehmeti, Shefe Sektori Drejtoria Juridike, Brian Williams, Kordinatori rezident i UNHCR, Artur Marku, Përfaqësues i UNHCR, Kristina Folkelius, Përfaqësuese e UNHCR-së.

Zëvendës Ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se “ky projektligj ka një impakt shumë të madh për qytetarët që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Është një projektligj i legjislacionit të brendshëm i cili nuk kërkon të bëjë përafrim me ligjet e BE-së. Ky ligj do të zgjidhë shumë nga problematikat e lidhura me shtetësinë.”

Relatorja e këtij projektligji, Elona Gjebrea u shpreh se, “prezenca e përfaqësuesve të huaj në këtë takim të komisionit tregon përkushtimin dhe punën në grup. Migrimi është një fenomen që ndodh në shumë vende e sigurisht edhe në Shqipëri. Problemet e ndryshme që lidhen me këtë çështje kanë detyruar këto vende të bëjnë ndryshimet e nevojshme në ligj. Ky projektligj është ratifikuar me kuadrin ligjor dhe përafruar me legjislacionin e BE-së.”

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan në parim projektligjin “Për shtetësinë”.