Në 1 dhjetor, presidenti Alfred Moisiu festoi 90 vjetorin e lindjes. Ndër më jetëgjatët president në Shqipëri, por edhe me një Presidencë për t’u pasur zili.

Presidenti Moisiu nuk e festoi siç donte i gëzuar këtë përvjetor. Ishte me familjen e tij, por i dhimbur dhe keqardhur për atë që po përjeton populli shqiptar.

Newsbomb.al iu drejtua presidentit Moisiu me një urim për 90-vjetorin, por edhe për një mesazh për situatën.

Presidenti Moisiu, këshillon vendimmarrësit, të hapin arkivat për të parë sesi është përballuar më parë emergjenca në vend. I vjen mirë, që politika është bërë bashkë për përballimin e tragjedisë.

Shkruan Presidenti Alfred Moisiu:

E nderuar Anila! Pikë së pari ju falenderoj për urimin që më keni bërë me rastin e ditëlindjes time.

Eshtë e vërtetë kjo që po ndodh në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë të shumëvuajtur.

Nuk besoj që ne jemi gjunjëzuar, por që na kapi në befasi, kjo është e vërtetë. Më lejoni që me këtë rast t’ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë atyre që humbën të afërmit e tyre. Në të njëjtën kohë, uroj shërim të plotë e të shpejtë gjithë atyre që morën plagë gjatë tërmetit.

Përshëndes punen heroike të ushtarëve, policëve, zjarrëfikësve, mjekëve dhe gjithë atyre që u angazhuan në këto ditë të vështira.

Rregulli e kërkon që për këto raste duhet të ishim shumë më të përgatitur. Dhe për këtë do të ishte besoj shumë ndihmuese të shiheshin planet e dikurshme të arkivuara, sesi duhet vepruar në situata të emergjencës totale.

Megjithatë, dua te them se shqiptarët janë një popull historikisht i vuajtur, por asnjëherë të dorëzuar.

Solidariteti i treguar midis shqiptarëve, si brenda vendit ashtu edhe nga ata që jetojnë në shtetet fqinjë si dhe të shpërndarë nëpër botë, tregoi se pavarësisht ndryshimeve të pësuara kocka kombëtare ka mbetur e pacënuar.

Tani duhet ti lëmë ngacmimet politike dhe të gjithë t’i përvishemi punës për të dalë sa më parë nga emergjenca dhe të sistemohen të pastrehuarit, duke kryer ndërtimet e nevojshme dhe të riparohen dëmtimet.

Më vjen mirë që më në fund, shteti u vu në lëvizje në mënyre kompakte.

Gjykoj se meritojnë thellësisht të përshëndeten fqinjët dhe aleatët tanë për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar Shqipërinë në këto ditë të vështira.

Të rrojnë në jetë të jetëve shqiptarët dhe kombi i jonë.

Alfred Moisiu

President i Shqipërisë 2002-2007