Nga Artua Ajazi

E ndërsa këto ditë mbeten vendimtare për fatin e hapjes ose jo,të negociatave me BE, kryeministri Rama ka vendosur të nisë procesin e hershëm për të përmbyllur deri në 2021, mini- shengenin Ballkanik mes tre vendeve, Shqipërisë- Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ndërkohë në Tiranë, mazhoranca qeverisëse në zbatim të rekomandimeve nga BE, ka nisur sërish ftesa edhe drejt Partisë Demokratike, për tu rikthyer në tryezën e hartimit dhe miratimit të Reformës së re Zgjedhore. Por ashtu si në takimin e parë, ish-opozita e vjetëruar përmes anëtarit të kryesisë saj Oerd Bylykbashi ka sqaruar se “kur Parlamenti është ilegjitim, s’mund të jetë legjitim ky komision i tij, ndaj ne kërkojnë një instrument jashtëparlamentar për të përfunduar Reformën Zgjedhore”.

Duke kërkuar me patjetër një sebep për të justfikuar mungesën dhe refuzimin e saj në tryezën e Reformës Zgjedhore, kjo PD, po kërkon të sabotojë procesin, duke deklaruar madje se “procesi i zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, është një proces serioz, por ne kemi një plan me 5 pika nga kryetari Basha, i cili përcakton në mënyrë fare të qartë jo vetëm vullnetin e plotë të opozitës për t’u angazhuar në Reformën Zgjedhore për ato elementet teknikë”. Tendenca për të thyer dhe kthyer mbrapsh çdo propozim të bërë nga selia e OSBE në Tiranë për ti ulur palët politike në tryezën e përbashkët, si dhe imponimi i Lulzimit për “plane me 5 pika” duke i treguar kryeministri Rama se “në rast se nuk e pranon hap krahun”, përfundimisht e nxjerr zbuluar rolin dhe misionin e SHQUP-it.

Kjo PD, ka 6 vjet që punon kundër interesave të Shqipërisë, kundër interesave të shqiptarëve, kundër integrimit,kundër vendosjes së shtetit ligjor, kundër Vetting-ut dhe reformave në drejtësi, duke mos bërë në asnjë ditë të vetme opozitën, por thjesht qaramanin, viktimën, shantazhuesin, abuzuesin, mëkatarin. Duke qenë kundër çdo ndryshimi ligjor që përmirëson klimën dhe ecurinë e biznesit mbi shinat e duhura, duke qenë kundër largimeve e ndëshkimeve të atyre që e zhytën drejtësinë në korrupsion dhe që kanë lidhje me krimin e organizuar, duke qenë kundër çdo nisme kryeministrore që lidhet me të ardhmen e vendit dhe shqiptarëve në rajon dhe më gjerë, ish-opozita e vjetëruar ka nisur të meket.

Zëri i saj ka humbur në bodrumet e SHQUP-it, pasi gjithçka kanë bërë deri sot dhe gjithçka kanë planizuar të bëjnë edhe në të ardhmen, do ti kthehet në boomerang. Ish-opozitën e vjetër nuk e shpëton më as cfilitja dyerve të Europës, dhe hapja apo moshapja e negociatave me BE. Fatin e saj e ka vulosur tashmë Doktori, Lulzimi , Gazmendi, Ervini, Babalja, dhe sejmenët që turren të dalin me deklarata shtypi, sapo dëgjojnë ndonjë “klithmë” tulipanësh diku larg. Ky vend do të bëhet nga politikanët e përgjegjshëm, nga ata që politikën e shohin jo si “galeri” nga duhet të nxjerrin veçse kallëpe floriri , por si burimin e të gjitha arritjeve dhe sukseseve në planin personal dhe kombëtar.

Kjo PD nuk vjen më në pushtet, (edhe sikur negociatat të mos happen) dhe këtë e di fare mirë edhe Doktori edhe Lulzimi. Taksirati i tyre, të rropaten sërish dyerve të Europës dhe bulevardeve të Tiranës, taksirati i tyre të mbledhin në SHQUP (pas ndonjë takimi me ndonjë ambasador) aleatët dhe ndjekësit e tyre, për ti mbajtur me gajret, pastaj për ti thënë vehtes se “kështu e ka politika, pastaj kjo është partia e Doktorit”.