Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe moderatorja Eni Vasili patën një përplasje gjatë debatit të sotëm në emisionin “Open”. Debati nisi kur u diskutua për dhunën që banorët ushtruan ndaj gazetarit të “Top Channel”, Andi Bora.

Klevis Balliu tha se nuk u dhunua gazetari por emblema e televizionit. “Kjo është dhunë, nuk preket gazetari”, tha Eni Vasili.

“Ma trego ku është prekur gazetari, është dhunuar televizioni që i ka quajtur shpellar këto banorë”, pretendoi Klevis Balliu. “Jo, kjo është shpifje. Kur e ka thënë që banorët janë shpellarë”, replikoi Vasili.

Eni Vasili u kërkoi banorëve të kërkojnë falje për dhunën ndaj gazetarit Andi Bora, kërkesë që u pranua nga banorët, por jo nga ish-deputeti Balliu.

“Klevis mos ndërhy, kërko falje për dhunën ndaj gazetarëve, ose do të nxjerr jashtë”, iu drejtua Vasili Balliut. Pas publicitetit, Klevis Balliu e pranoi se nuk ka pasur një deklaratë të tillë nga “Top Channel”, ku banorët të jenë quajtur shpellarë.