Te Kolumbia nuk përjetohet si në vende të tjera eliminimi apo gabimi në një Botëror. Në një vend që ka shfaqur probleme në të kaluarën në raportin mes futbollit dhe narkotrafikantëve, lojtarët bëhen menjëherë objekt kërcënimesh me jetë nga “tifozë” të tyre.

Pak çaste pas eliminimit me penallti të Kolumbisë përballë Anglisë, Karlos Baka dhe Mateus Uribe janë kthyer ndër më të urryerit për tifozët e tyre dhe rrjetet sociale janë mbushur me kërcënime për të dy futbollistët. Sidomos Baka është kthyer në një objekt kritikash, pasi penalltia e tij u prit nga Pikford, kurse Uribe e dërgoi në traversë goditjen e tij.

Data e djeshme, përveç të tjerave, përkonte me një moment të trishtueshëm për futbollin kolumbian, pasi shënonte 24 vjetorin e vrasjes së Andres Eskobar, ish-mbrojtësit të Kolmbisë i cili u ekzekutua me armë zjarri. Ai u vra nga narkotrafikantët pak ditë pasi shënoi autogol në ndeshjen kundër SHBA në Botërorin 1994, duke sjellë eliminimin e përfaqësueses së tij.

Disa ditë më parë, edhe mbrojtësi Karlos Sançez i Kolumbisë u përball me kërcënime me vdekje, pasi shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq që në minutat e parë të ndeshjes ndaj Japonisë.