FSHF ka vendosur që java e parë e Kategorisë Superiore të zhvillohet në vetëm dy ditë, meqë ka ngjeshur kalendarin e ndeshjeve për të luajtur edhe në mesjavën pasardhëse.

Duket e çuditshme por në vend që të luhet të shtunën dhe të dielën, për të pasur sa më shumë tifozë në stadiume, FSHF ka vendosur që ndeshjet të luhen të premten dhe të shtunën e për më tepër, me orare të papërshtatshme.

Ndeshja që hap kampionatin, ashtu siç pritej, është ajo mes Kukësit dhe Partizanit në “Elbasan Arena” pasi dueli është planifikuar në orën 19:00 të së premtes.

Kjo do të jetë sfida e vetme për këtë ditë, pasi të katër ndeshjet e tjera janë planifikuar që të luhen të shtunën.

Bie në sy se sipas planit të FSHF-së, dy të parat luhen në një orar shumë të papërshtatshëm, në orën 16:00, kur edhe temperaturat janë shumë të larta në muajin gusht dhe futbollistët mund të përballen me probleme.

Vetë klubet e Superiores kanë evituar që të luajnë në orare të tilla, duke zhvilluar ndeshje miqësore pas orës 17:00, kurse UEFA nuk u lejon skuadrave të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare në atë orar gjatë verës, ndaj duket shumë e çuditshme se si FSHF ka planifikuar një orar të tillë duke mos menduar aspak për shëndetin e lojtarëve.

Dy duelet që janë planifikuar të luhen në këtë orë janë Skënderbeu-Flamurtari në Korçë dhe Vllaznia-Laçi në Shkodër.

Ndërkohë, në darkë në orën 19:00, Tirana do të presë Luftëtarin në kryeqytet, ndërsa Teuta do të presë Bylisin në Durrës.

NDESHJET
E premte 23 gusht
Kukësi-Partizani 19:00

E shtunë 24 gusht
Skënderbeu-Flamurtari 16:00
Vllaznia-Laçi 16:00
Tirana-Luftëtari 19:00
Teuta-Bylis 19:00