Rritja e numrit të turistëve vendas dhe të huaj do të jetë një nga sfidat kryesore të kandidatit të PS për Bashkinë e Beratit, Ervin Demo. Përveç kësaj, turizmi do të ndikojë në jetën e beratasve duke rigjallëruar të rinjte përmes argëtimit dhe thyer monotoninë.

Së bashku me dhjetëra të rinj të gjimnazeve të qytetit 2400 vjeçar, Demo organizoi për 2 fundjava rresht, vizita në dy atraksione të ndryshme të qytetit, siç është ngjtja në malin e Shpiragut në 1193 metër lartësi si dhe rafting për 12 km në lumin Osum. Këto dy eksperienca të veçanta sipas Demos janë një kartolinë për qytetin dhe një kartvizitë që shpejt do të shpërndahet në radhë të parë tek të gjithë shqiptarët që duan të kalojnë një fundjave relaksi dhe argëtimi, pastaj edhe tek turistët e huaj që çdo vit bëhe edhe më të shumtë.

Reklamimi i bukurive natyrore të qytetit që ndiqet edhe me hashtaget #ejaneBerat dhe #zbuloBeratin, do të vazhdojë përmes këtyre aktiviteteve çdo fundjavë dhe qëllimi i kandidatit Ervin Demo do të jetë t’i tregohet gjithë qytetarëve shqiptarë se në Berat mund të kalohet fundjava më e bukur në raport me çdo qytet tjetër.