Nga Elda Shabani

Veshja është një komunikim joverbal shpesh herë i sofistikuar dhe simbolik tek i cili shfaqen shprehje të identitet personal dhe atij kombëtar. Edhe pse jo një lidhje natyrore politika dhe veshja kanë një marrëdhënie komplekse me njëra tjetrën, madje shpesh herë, veshja ka qenë mesazhi kryesor dhe frymëzues, vecanërisht tek ato femra, të cilat dëshirojnë të jenë pjesë aktive e politikës dhe e biznesit. Shembulli më tipik ishte rasti i Zonjës Hale, Presidente e Gjykatës Supreme në Mbretërinë e Bashkuar, e cila mori vëmëndjen e të gjithëve, pasi në daljen e saj të fundit mbante të veshur një spilë merimangë. Në fakt, zonja Hale nuk është e vetmja, ka gjithashtu të tjera personalitete politike dhe gjyqësore të njohura në mbarë botën të cilat kanë përdorur këtë aksesorë zbukurimi për të përcuar një informacion ose një komunikimi politik, siç është gjykatësja e njohur e SHBA, Ruth Bader Ginsburg, ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, Mbretëresha Elizabeth II e shumë emra të tjerë të njohur.

Për Madeleine Albright, marrëdhënia diplomatike me karficën ezbukurimit nisi në takimin e saj me Saddam Hussein, kur ajo ishte ambasadore në Kombet e Bashkuara. Në këtë takim Sadam Hussein e quajti atë një gjarpër. Pas kësaj, ajo mbante nje gjarpër sa herë që duhej të merrej me çështje që lidhen me Irakun .

Ne librin e saj “Lexo spilat e mia” Albright, shprehet se në ditë të mira, ajo vesh lule, flutura dhe në ditë jo të mira, të gjitha llojet e insekteve si dhe të kafshëve. E gjithë kjo është një mënyrë për t’u shprehur jo vetëm verbalisht por edhe nëpërmjet formës. Ndërkohë zonja Hale, gjithmonë është shfaqur në publik me keto tip karficash shumë të mëdha dhe të kapshme për syrin që në momentin e parë. Insektet, janë ato që dominojnë por edhe figura të tjera të cilat shpesh herë bëhen të vështirë për t’u kuptuar nga ne.

Mjeshtra e madhe e politikës së epokës sonë, e vetmja ku statusi i saj nuk i lejon të bëjë deklarata të hapura politike, Mbretëresha Elizabeta II, përmes veshjes, dhe në veçanti përmes ketij aksesori të vogël, dërgon mesazhe të koduara në të gjitha daljet e saj në publik. Me shumë mençuri, Mbretëresha, në ditën e parë të vizitës së fundit të Trump-it me të, zgjedh të vesh, një karficë të thjeshtë të gjelbër që iu dha asaj nga Obama për të nënshkruar miqësinë e tyre. Dhe, në ditën e fundit, ajo zgjodhi një karficë të Nëna Mbretëreshë e cila e kishte veshur në ceremoninë mortore të mbretit George VI, duke e lidhur atë me një ditë trishtimi dhe humbje.

Në botën e lashtë, karficat e zbukurimit ishin jo vetëm funksionale, për të mbërthyer veshjet e para të rënda dhe pa forma si manteli, tunika, shalle por ishin edhe sende dekorative dhe komunikuese. Këto karfica janë pjesë edhe në kulturën tonë ilire, mbajtur nga gratë ilire me simbolika dykrerëshe, me rrenjë nga qytetërimi pellazg.
Zbulimet arkeologjike nga Epoka e Hekurit, mund të tregojnë identitete etnike dhe përkatësi grupore nëpër rajone të ndryshme të Evropës. Boudika, Mbretëresha e fisit Iceni, udhëhoqi një kryengritje kundër Perandorisë Romake në vitin 61 pas Krishtit dhe u bë heroina popullore në Britani.

Nga provat arkeologjike dhe Historike Boudica, përshkrohet shumë e gjatë dhe në trupin e saj është gjetur një gjerdan i madh i artë; një tunikë të ngjyrave të ndryshme e mbëthyer me një emblemë. Me zhvillimin e një shoqërie artizanale qytetërimet si ajo greko-romake, kjo bizhu u zhvillua teknikisht me motive dhe punime më komplekse, ku kryesisht mbizotëronin figura gjeometrike, por edhe imazhe nga natyra. Motivi i një gjarpri në formën e një spirale të dyfishtë, përdorej shpesh në bizhu. Që në atë kohë u përdor si një mjet politik. Nën mbretërimin e Aleksandrit të Madh, filloi një epokë e mrekullueshme jo vetëm për politikën dhe kulturën por edhe në përpunimin e bizhuterisë dhe aftësia teknike e argjendarëve arriti në nivelet më të larta.

Nën ndikimin Bizantin por edhe në mesjetën e hershme, feja u bë stil jetese e sigurisht simbolet fetare si kryqi, u bënë pjesë e veshjes tek të gjithë. Për kohën ato përcillnin jo vetëm një gjuhë fetare por edhe politike. Ende gjurmët e kulturës romake ishin të freskëta, lulet, zogjt, krijesa mitologjike të gjitha të punuara në flori, ku dominonte ngjyra e kuqe, jeshile dhe e verdha. Kjo periudhe pati ndikim të madh në mbarë Evropën.

Gjatë gjithë mesjetës, ndërsa ndodhen përmirësime në teknikat e argjendarisë, karficat ose spilat u bënë më të larmishme në formë dhe më të sofistikuara me kombinimin gurëve të çmuara të prerë në teknika të reja. Shekulli 15-të dhe 16-të Ishin një nga periudhat më ekstravagante në të gjithë historinë e veshjeve. Elizabeta I e Anglisë e çoi modën në ekstremin e luksit dhe të shkëlqimit më zbukurime e aksesorë të cilat shënuan fillimin e periudhës moderne të historisë.

E njohur ishte edhe Epoka Viktoriane në shekullin 19-të për një larmishmëri në dizajn me motive romantike. Ndërsa stilet e mëvonshme, të Shekullit XX ndikohen qartë nga stili Art Deco me motive nga Lindja, figura asimetrike, portrete dhe trupa femërore, motive patriotike apo stili i artit klasik si dhe Art Nouveau (Arti i Ri), me figura insektesh si bleta, flutura, merimangë etj. të punuara me gurë të cmuar ose gurë natyral e dizajne të frymëzuara nga periudha e antikitetit. Ndërkohë që kjo tip karfice në antikitet ishte karakteristike më shumë tek meshkuj për të treguar karakterin e tyre luftarak dhe sundues, në shekullin modern u përvetësua tëresisht nga femrat si një mjet komunikimi vecanërisht nga shoqëria e lartë dhe më rrallë nga bota e showbizz-it. Sidoqoftë ajo që bie më shumë në sy nga audienca globale është roli mbresëlënës i këtij aksesori të vogël zbukurues, i cili krijon një lidhje shpesh herë provokues, por edhe të ngrohtë midis njerëzve, vendeve dhe ngjarjeve, të cilat shkruhen në faqen e historisë të ngritjes dhe rënies të një perandorie….