Fuqia e një zëri mund të ndryshohë jetën” – Kështu është shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca me mesazhin e tij, duke ju bashkuar fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për luftën kundër kancerit të gjirit.

“Lufta kundër kancerit të gjirit mund të fitohet. Zbulimi i hershëm, teknologjitë e reja dhe trajtime më të mira janë në dispozicion të grave për t’i mbështetur në këtë luftë”, është shprehur z. Soreca

Duke ftuar të mbijetuarat nga kanceri i gjirit për t’u angazhuar në këtë kauzë, Ambasadori tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të rrisë ndërgjegjësimin që askush të mos e kalojë sërish këtë sëmundje të tmerrshme.

Tetori është muaji i luftës kundër kancerit të gjirit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka filluar një fushatë sensibilizimi për të gjitha gratë dhe vajzat për të kryer kontrollin periodik të gjirit. 19 % më shumë gra kanë kryer kontrillin e gjirit në 9 mujorin e 2019, krahasuar me 9 mujorin e 2018. 5531 gra kanë përfituar kontrollin e gjirit nga mamografët e lëvizshëm në përiudhën prill 2018 – shtator 2019.