Për rreth 1 orë, Marjana Çmeta, në dukje e qetë, dha versionin e saj për vrasjen e vjehrrës, Lirije Lami, duke mohuar autorësinë. Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon të renë se ka helmuar vjehrrën e saj me fostoksinë, ndërsa provën më të fortë ka një video të vetë Marjanës, e cila përballë një hoxhe pranon krimin dhe tregon detaje për mënyrën e vrasjes.

Sa i takon këtij rrëfimi në videon që zgjat 78 minuta dhe që Prokuroria e ka dorëzuar para Gjykatës, Çmeta tha se nuk mbante mend asgjë të tillë dhe se hoxhë Hysen Shehu, i marrë i pandehur për këtë ngjarje, por për moskallëzim krimi, i kishte dhënë asaj një hudhër kur kishte shkuar dhe atë mund ta kishte zënë gjumi.

“Duket sikur po dëgjoj historinë e dikujt tjetër”, tha ajo kur u pyet nëse e kishte parë videon. Gjatë seancës së djeshme, Prokuroria lexoi edhe provat shkresore, ndërsa procesi është tashmë në fazën e marrjes së provave të mbrojtjes, shkruan “Panorama”.

DËSHMIA

Në rrëfimin e saj para Gjykatës, Marjana Çmeta tregoi se në ditën e ngjarjes ishte zgjuar herët dhe kishte shkuar në shtëpinë e ish-burrit për të bërë punët e shtëpisë dhe përgatitur atë për në punë.

Çmeta tha se në momentin që Lirije Lami kishte shkuar në shtëpi, e kishte pyetur se si ishte dhe nuk kishin bërë bisedë të gjatë. Sipas të pandehurës, viktima i kishte shprehur shqetësim për sjelljen e vajzës së vet.

“Në datën 30 maj jam zgjuar herët për të shkuar te shtëpia e ish-bashkëshortit tim, pasi ishte në banesën e prindërve të mi. Shkova herët që t’i bëja gati këmishat për punë Oltonit dhe të bëja punët e shtëpisë. Kam përcjell për në punë ish-bashkëshortin dhe u ktheva në banesë. Pak më vonë ka ardhur Lirije Lami, e cila sillte gjithmonë qumësht dhe atë ditë do të mbillte dhe disa fidan domate.

Kur erdhi, i fola, e pyeta se si ishte dhe më tha se i dhembte pak koka, ndërkohë po kërkonte fidanët që do të mbillte. U largua për ca minuta dhe unë vazhdova në shtëpi, kur u kthye ishte e shqetësuar dhe më tha se vajza e saj ishte larguar nga fshati me nerva.

Më tha se e shqetësonte sjellja e saj. Unë i thashë që edhe Olti është i acaruar këto kohë dhe zgjohet me nerva”, tha Marjana Çmeta.