Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Prokurores ë Përgjithshme, Arta Marku të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, për faktin që ky i fundit, i plagosur në atentat 5 ditë më parë, deklaroi dje në media se drejton edhe një studio ligjore ku ofron konsilencë për cështje të ndryshme. Kjo bie ndesh me ligjin – thotë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, duke ju referuar ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në kushtet kur ende nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që do të merret me hetimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e ka në dorë Prokuroria e Përgjithshme.

Por përse e bëri dje këtë deklaratë prokurori Ndoja?! Ai ju përgjigj interesit të mediave, në lidhje me disa dosje që u gjetën në makinën e tij nga ekzaminimi pas atentatit. Ndoja tha se ato nuk janë dosje të prokurorisë, siç u hodhën dyshime se mund të ishin dosje për çështje pronash nga ato që u vodhën në prokurorinë e Durrësit në vitin 2018, por tha se ishin dosje të studios ligjore që ai drejton. Edhe bashkëshortja e tij ka një studio avokatie, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtën studio që mund të kenë bashkarish burrë e grua. KLP kërkon të faktohet nëse prokurori Arjan Ndoja e ka këtë studio ligjore, e cila do të përbënte shkelje, por edhe në rastin që mund të jetë e bashkëshortes së tij, mund të ketë element të konfliktit të interesit.

Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, zbuloi mbrëmë në emisionin “Repolitix” në Report Tv, se pikërisht studio e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit Ndoja ka mbrojtur në një proces gjyqësor një të moshuar, pas të cilit dyshohet të fshihet Landi Muharremi, ku i ka kaluar në pronësi 45 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Lalzit, që Bashkia e Durrësit në këtë proces, pretendonte se ishte shtetërore. Pra, bashkëshortja e prokurorit ka fituar në gjyqin që i mori nga duart tokën që shteti i dha biznesmenit libanez për të ndërtuar resort në Gjirin e Lalzit, dhe më pas i moshuari Pal Seçuni mësohet t’ia ketë shitur Muharremajve nga Sukthi – Ndërkohë prokurori Arjan Ndoja, 5 ditë më parë, ndodhej në makinën e tij me Landi Muharremin, njohur si i ‘forti i Sukthit’ me nofkën Rrumi, me precedentë të mëparshëm penalë, dhe i dyshuar (por asnjëherë i faktuar) si një nga personat që mund të fshihej pas dhunimit të biznesmenit Faad Mitri, ngjarje që e detyroi atë të heqë dorë nga investimi në Lalz dhe të largohet nga Shqipëria.

Pika ç e nenit 6 për “Papajtueshmëritë me funksionin e magjistratit” thotë se magjistratit i ndalohet: “të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në të cilën veprimtaria e magjistratit është e ndaluar, për shkak se mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, krijon konflikt interesi ose krijon përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar” – Pra do të ishte shkelje edhe në prokurori do të kishte sadopak lidhje me studion e bashkëshortes së tij.

Gjithçka mbetet tashmë të faktohet nga Prokuroria e Përgjithshme, nëse kryeprokurorja Arta Marku do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kreut të KLP-së për të nisur hetimet disiplinore ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Kërkesa e kreut të KLP-së Lënda: Kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM E nderuar znj. Marku,

Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoji, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.

Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median A2 Neës nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 160/5 i Ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Mbetemi ne pritje te gjetjeve dhe propozimeve Tuaja.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin,
KRYETARI
GENT IBRAHIMI