Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë Kastriot Selita do të përballet sërish me vettingun, por në shkallën e dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Pasi kalo shkallën e parë, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi ankimimin, ndërsa sot Komisioneri Publik njofton se ka depozituar dosjen në KPA.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit nuk është i plotë, duke u konsideruar si i tillë, i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Kastriot Selita. Mbështetur dhe në rekomandimin e Komisionit prej tre vëzhguesish ndërkombëtarë të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjykojë mbi të tria kriteret e rivlerësimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të këtij ankimi, në varësi të rezultateve të hetimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të lartpërmendur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në njoftimin e Komisionerit.

Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, të cilët konfirmuan në detyrë gjyqtarin Slita. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.