Mund të fitosh edhe pa “mbretin”. Juve e kishte kuptuar tashmë këtë në të kaluarën dhe mbrëmë u konfirmua në Brescia, ku Ronaldo u la pushim (madje as ishtë grumbulluar) për shkak të një lodhjeje të lehtë të muskujve. Ai në “Rigamonti” ishte Juventusi i parë i këtij sezoni pa CR7, por u regjistrua ndeshja e nëntë në total, pa kampionin portugez, që kur ai mbërriti në Torino, verën e vitit 2018. Statistikat thonë që “Zonja e Vjetër” fiton edhe pa yllin e saj: gjashtë fitore dhe tri humbje.

Sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo humbi vetëm një ndeshje në Ligën e Kampionëve (për shkak të skualifikimit, pas dëbimit me të kuqe ndaj Valencias) dhe Juventusi fitoi 3-0 në shtëpi, kundër Young Boys. Në kampionat (Serie A), “pit stop” i parë për të mbërriti më 8 mars, në javën e 27-të. Ai qëndroi në stol kundër Udinese (në pritje të ndeshjes së kthimit të Champions-it, kundër Atletico Madrid) dhe bardhezinjtë fituan 4-1.

Pastaj pati telashe muskulore në këmbën e djathtë, gjatë ndeshjes kualifikuese Portugali-Serbi, më 25 mars, të cilat e lanë larg fushave për pesë ndeshje të drejta. Pa të, kampionët italianë arritën të fitojnë kundër Empolit, Cagliari dhe Milanit, por humbën kundër Genoa dhe Spal. CR7 humbi edhe ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar në Serie A, kundër Sampdoria (donte të pushonte, duke pasur parasysh angazhimet e Portugalisë në Ligën e atëhershme të Kombeve) dhe Juve humbi 2-0, edhe pse titulli i tetë radhazi ishte tashmë i hipotekuar.