Pas liqenit të Ohrit, edhe liqeni i Prespës është pasuruar me peshq.

Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama, i cili thotë se janë duke u hedhur 300 mijë rasatë të përgatitur në qendrën e posaçme pranë liqenit.

Sipas kryeministrit, në Prespë s’ka pothuajse fare gjueti dhe shumimi i peshqve do rrisë edhe sasinë për treg.

“VIJON PASURIMI I UJRAVE LIQENORE me Liqenin e Prespës, ku po hidhen 300 mijë rasatë, të përgatitur në qendrën e posaçme pranë liqenit

Prespa është ndër shembujt e mirëmenaxhimit, falë Organizatës së Peshkatarëve dhe mbështetjes së institucioneve; s’ka pothuajse fare gjueti të paligjshme dhe për peshkatarët që shfrytëzojnë Prespën rritet vit pas viti, sasia e peshkut për treg”, shkruan kryeministri.

Pasurimi i ujrave liqenore është nisma më e re e qeverisë e udhëhequr nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.