Një hetim i nisur nga prokuroria e Tiranës për zbulimin e një ngjarjeje, që kishte të bënte me shpërthimin e një sasie tritoli në Elbasan, ka sjellë zbulimin e korrupsionit në Universitetit të Elbasanit. Përgjimet e prokurorisë së këtij qyteti nxjerin në dritë se pedagogët kanë qënë në koordinim të plotë me sekserët dhe studentët, duke u marrë para atyre, në këmbim të një note kaluese.

Nga përmbajtja e bisedave del qartë se dekani Albert Riska dhe shefja e departamentit të gazetarisë Elvira Lumi nuk kishin figurën e pedagogut dhe mësonjësit, por të një xhambazi, që i konsideronte studentët si mjet për të përfituar para gjatë sezonit të provimeve. Por jo vetëm kaq. Në përgjime rezulton se Riska dhe Lumi koordinojnë njëri me tjetrin kriteret e një konkursi për të marrë në punë një pedagog, të cilin e kishin paracaktuar për ta punësuar.

I gjithë konkurimi për këtë pjesë ka qënë fiktiv, pasi në përgjime del se pedagogu ishte paracaktuar për të fituar nga Lumi dhe Riska. Gjithashtu, në bisedat e tjera të përgjuara rezulton se shefja e departamentit të gazetarisë Elvira Lumi u thotë studentëve që, pasi kanë dalë nga provimi, ta plotësojnë fletoren jashtë ambjenteve ku zhvillohej provimi dhe më pas t’ia dorëzonin asaj dorazi, ose me njerëz të tjerë, me qëllim që të kalonin. Kuptohet që fletoret plotësoheshin në kafenetë afër Universitetit dhe më pas dorëzoheshin.

Në dokumentacionin që zotëron “Shqiptarja.com” rezulton se rënia në gjurmë të tyre ka ndodhur krejt rastësisht, pasi prokurori i Elbasanit Ritvan Suka ishte duke mbajtur në vëzhgim e përgjim një të ri nga Gostima e Cërrikut, Marius Calja. Ky i fundit ishte i dyshuar për shpërthimin me tritol të një biznesi dhe mbajtjes së lëndëve plasëse. Por, gjatë bisedave të përgjuara, ai interesohej tek persona të tjerë për të marrë një notë kaluese në një provim në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Elbasanit.

Po kështu, Marius Calja rezulton se kontaktonte me studentë të tjerë, duke luajtur rolin e sekserit mes tyre dhe personave të tjerë, të cilët kontaktojnë pedagogët me qëllim marrjen e notave kaluese në provime të ndryshme kundrejt pagesave në shuma të mëdha. Gjatë përgjimeve të një sërë numrash telefonikë ka rezultuar se numri 06962XXX përdorej nga një person me emrin “Titi”.

Nga policia gjyqësore është kërkuar vëzhgimi i këtij personi, me qëllim identifikimin e tij dhe personave të tjerë, me të cilët Titi kishte kontakte, pasi, nga përgjimet, ky luante rolin e sekserit ndërmjet studentëve dhe personave të ndryshëm, duke ndërhyrë tek pedagogët për të marrë nota kaluese. Nga transkriptimi i bisedave telefonike të përgjuara rezultoi se Titi ishte shtetasi Petrit Kodra dhe mbante kontakte të vazhdueshme me pedagogët Elvira Lumi dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Albert Riska. Nga hetimi rezultoi se studenti Marius Calja ishte ngelës dhe duhej të përsëriste provimet në sezonin “vjeshtë 2017”.

Ai bisedoi me shtetasen Erjola Calja, e cila i mer përsipër bisedimin me disa pedagogë, me qëllim marjen e provimeve. Po kështu, Marius Calja, bisedon dhe me shtetasin Adem Ngjela, ku temë e diskutimit ka qënë marrja e provimeve kundrejt pagesave dhe nga biseda rezulton se Ngjela i merr përsipër se do të takonte disa të afërm të pedagogëve, me të cilët ai kishte provim. Më pas Calja është lidhur me sekserin Petrit Kodra, i cili kishte njohje me shumë pedagogë në Universitetin e Elbasanit.

Në një bisedë telefonike të përgjuar, Petrit Kodra merr përsipër që, kundrejt pagesave, t’i mundësojë një personi, i cili ishte i njohuri i personit nën hetim Marius Calja, marrjen e një diplome të shkollës së mesme, duke mos qënë asnjëherë prezent gjatë procesit mësimor. Ndërkohë, Petrit Kodra bisedon me Admirim Kala, ish-kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit dhe Kala rezulton se i kërkon Kodrës që të ndërhyjë tek një pedagoge, me qëllim vendosjen e notës kaluese për një studente, pasi marrja e këtij provimi e mundëson për të hyrë në provimin e diplomës.

Studentja kishte pranuar të paguante, pasi i duhej patjetër provimi. Për të mbaruar këtë punë, Kodra bisedon me dekanin Albert Riska, por nuk ka mundur të zgjidhë gjë dhe, për pasojë, sasia e parave, që është dhënë nga studentja, është kthyer mbrapsht. Një gjë të tillë e faktojnë dhe komunikimet mes Petrit Kodrës dhe Admirim Kalas. Madje, në një tjetër rast, Kodra ndërhyn tek Lumi dhe Riska, të cilët marrin përsipër të kalojnë në provim një studente që s’ka qënë fare prezent, jo vetëm në leksione, por as edhe në Shqipëri.

Tashmë thuajse të gjithë personat e arrestuar nga prokuroria e Elbasanit janë liruar nga qelia, ndërkohë që hetimet ndaj tyre vijojnë. Dy pedagogët Riska dhe Lumi janë pezulluar nga rektori i universitetit.\Shqiptarja.com/j.j