Ferdinand Shehu, ish-drejtori i Aluiznit në kohën e qeverisë Berisha të cilit iu sekuestruan 1.5 milionë Eurot të cilat iu sekuestruan 10 ditë më parë, për të cilat akuzohet se ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se seanca është shtyrë për në shtator për shkak se nuk është paraqitur asnjë përfaqësues nga Prokuroria duke qenë se është me leje.

Shehu ka kërkuar që t’i kthehen paratë për shkak se pretendon se ato nuk janë të paligjshme.

Shehu kohët e fundit, nëpërmjet një banke private ka tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Por pas dyshimeve se shuma është përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi” duke i bllokuar.

Më pas në një lidhje telefonike për Report Tv , Shehu deklaroi se ndodhet në Itali me familjen dhe se lajmin e ka mësuar nga mediet. Shehu mohoi akuzat dhe tha se do të ndjekë rrugën ligjore. Ai theksoi se nuk ka bërë asnjë paligjshmëri.

Në vitet 2009 dhe 2013 Shehu ka qenë kandidat për deputet nga PD-ja, por nuk arriti qe te fitonte, ndërsa në 2015 me siglën e LZHK-së u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.