Një tjetër shqiptar që ka preferuar të mbetet anonim, ka treguar për emisionin “Pa gjurmë” se e ka takuar Bleona Matën në tetor të 2018-s afër një shkolle në Ulqin. Zotëria është shprehur se vajza dukej shumë e dobët dhe i kërkoi ta ndihmonte për ta çuar te e ëma. Ai tha se është i gatshëm për ta ndihmuar familjen e saj.

” Kam qenë në Ulqin në tetor të 2018-s dhe kam qenë duke ikur për në punë. Mu afrua një vajzë rreth 13-14 vjeç dhe më ka shprehur se jam vajza e Bukurie Matës nga Zapodi i Kukësit. ‘A më çon në tek shtëpia’! Ajo ishte shumë e dobët fizikisht. Ishte me libra në dorë, afër një shkolle në qendër të qytetit”, rrëfen dëshmitari anonim.

“Unë gjithnjë mendova mos është ndonjë nga Ulqini, por pasi u ktheva nga emigracioni mora gazetarët e Report Tv dhe u tregova. Për këto detaje unë jam gati që të bashkëpunoj për t’i çuar gazetarët në vendin e ngjarjes, ku bisedova 2-3 minuta. Imazhi i vajzës ishte me ato sytë që janë dhënë gjithnjë, por detaji kryesor ishte shumë e dobët fizikisht”.

Bleona Mata ka humbur pasditen e 22 majit të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit. Ajo ishte vetëm 6 vjeçe kur u zhduk pa lënë gjurmë dhe tashmë që është 15 vjeçe, kanë dalë edhe fotot sesi duket.