Krahas përmirësimit të situatës me çerdhet dhe kopshtet në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për përmirësimin e infrastrkturës edhe në zonat rurale.

Ajo ka rikonstruktuar godinën e ish-shkollës së vjetër të ndërtuar 40 vjet më parë në Vaqarr, e cila do të shërbejë si kopësht modern, duke plotësuar nevojat e gjithë komunitetit. Pasi inspektoi punimet, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se në këtë mandat të dytë fokusi do të jetë tek ofrimi njësoj i shërbimeve edhe në fshat.

“Mund të jemi në Bllok, mund të jemi diku në një nga lagjet më të mira të Tiranës, te Bregu i Lumit, ku prapë kemi kopshte shumë të mira, apo në Kodër-Kamëz, ku po mbaron kopshti i ri, por në fakt jemi në Vaqarr, çka sinjalizon një fillim të ri të punës për kopshte dhe çerdhe në zonat rurale. Fakti që 50-60 fëmijë janë këtu, do të thotë se 50-60 fëmijë janë më pak në turnet e dyta në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Kombinatit. Ndaj, e gjithë dëshira jonë është që këtë mandat të dytë të fokusojmë më shumë shërbimin në fshat. Duhet të shkojnë shërbimet aty ku janë njerëzit, kështu që ulim dyndjen dhe turnet e dyta në qytet”, theksoi ai.

Si rezultat i transformimit të kopshteve dhe të çerdheve publike, ky vit ka shënuar edhe numrin më të madh të kërkesave për regjistrimin e fëmijëve. Teksa nënvizoi se situata ka ndryshuar tërësisht me gjendjen e 5 viteve më parë, Veliaj tha se tashmë shumë prej prindërve preferojnë që në vend të kopshteve dhe çedheve private, kërkojnë regjistrimin e fëmijëve të tyre tek ato publike.