Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo e ka cilësuar si një skemë mashtrimi me qëllim shkarkimin nga puna, ndalimin e ish-drejtorit të Agjencisë së Trajtimit Social, Armand Mamani.

Në një reagim për mediat, Tavo shkruan se e gjitha kjo është një shkarkim me prapavijë politike e kryebashkiakut socialist, Flamur Golemi. Sipas, Tavos, ai nuk ka vjedhur enegjinë elektrike, por është shpifje duke qenë se edhe në auditin e befasishëm që iu bë, nuk i gjet asnjë shkelje.

“Palo kryetari i ri i Bashkisë Gjirokastër, i cili në votimet më moniste të 30 qershorit, ku kandidoi përballê vetes, arriti rekordin për numrin më të vogël të votave nga partia që përfaqëson dhe ata 1500 votues që i detyroi me forcë ja quajtën votën e pavlefshme pasi nuk mund të bëheshin zare të këtij gaztori.

I kompleksuar me rekordin e votave më të ulëta, ky gaztor nisi shkarkimet politike. Armand Mamani, Drejtor i Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social u përball ditën e dytë të punës së kryetarit gaztor me një audit të befasishëm kontrolli, i cili nuk gjeti asnjë shkelje. Ndërkohë u sajua një histori e turpshme për lidhje të paligjshme energjie elektrike.

U bëj apel organeve të drejtësisë të mos përdoren politikisht dhe të mbrojnë të vërtetën duke mos u bërë pjesë e arrogancës dhe hakmarrjeve të kryetarit gaztor të paligjshëm, të dalë nga zgjedhje anti-kushtetuese, dhe me rekord të paparë dështimi votash”, shkruan Tavo.