Bardh Spahia, ish-deputet i Partisë Demokratike nga arresti shtëpiak ka reaguar pas masës që vendosi gjykata e Shkodrës kundër tij para dy ditësh.

“Vetem qendrese! Të gjithëve e secilit, miq, kolegë, të njohur e të panjohur, brenda e jashtë vendit, u jam thellësisht mirënjohës për solidaritetin, vëmendjen e mesazhet! E drejta triumfon mbi cdo urdhër politik e keqpërdorim të shtetit, ashtu si vendosmëria për të bërë gjënë e duhur për këtë vend, nuk lëkundet as edhe një sekondë!

Solidariteti njerëzor mbetet sinjali më i qartë se shpresa është e fortë në këtë vend, njëlloj si ndërgjegjësimi se beteja kundër të keqes nuk është e lehtë, por aspak e pamundur! Nuk jam penduar për asnjë moment për zgjedhjen që të kthehem e të qëndroj në vendin tim!

Për formim e traditë familjare, besoj tek qëndresa përballë të keqes, si rruga për të merituar lirinë e demokracinë. Ajo betejë bëhet vec pastër, pa kthesa e konformizma! Paqja pa drejtësi është diktaturë, e diktatorët vec rrëzohen! Qëndresa është historia e Shkodrës, e jo përkulja!

Jam prane cdo mbrojtesi te lirise te ndaluar padrejtesisht, jam prane cdo qendrestari e ushtari te demokracise qe mbron lirine duke u perballur me dinjitet e kurajo kunder te keqes qe po rikthehet per te mbytur e zene per fyti demokracine ne atdheun tone. E aty do jem bashke me ta, mirenjohes per sherbimin qe i bejne kombit te vet, me sa te kem mundesi e sa te kem fryme! Respekt për të gjithë qëndrestarët! Asnjë Hap Pas. Te bashkuar ja dalim. Rama Ik” shkruan ai.

Gjykata e qytetit të Shkodrës caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, lidhur me sulmin në shkollën “Shejnaze Juka”, e shndërruar në KZAZ. Spahia tha se ‘vajta që të qetësoja situatën’, por Rama dje nga Përmeti u shpreh se ‘ai që i çoi atje tha unë nuk kam lidhje, vajta ti qetësoj, dhe vajti në shtëpi, në fakt ishte pikërisht ai që i çoi atje’.