Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka folur për takimin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai thotë se me Kurtin biseduan për gjendjen në Kosovë, ndërsa janë pajtuar që qeveria e re duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë.

Siç duket, LDK dhe VV janë afër një koalicioni parazgjedhor.

Postimi i plotë i Mustafës:

Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë. Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane. IM.