Nga 30 tetori hapet thirrja e dytë për programin e Zhillimit Bujqësor dhe Rural IPARD 2, i cili vë në dispozicion të fermerëve shqiptare plot 57.6 milion euro.

Në një intervistë për ERTV, nga një sipërmarrje e suksesshme në Durrës, në fushën e agroturizmit, Drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, sqaroi se cilat masa do të financohen me këto fonde dhe për sa përqind të investimit të tyre mund të përfitojnë mbështetje fermerët.

“Ne kemi shpallur tashmë thirrjen e dytë të programit IPARD 2. E kemi bërë këtë për t’i dhënë mundësinë të gjitha subjekteve që janë skualifikuar në thirrjen e parë që e kanë validuar dosjen e aplikimit pranë AZHBR. Thirrja e dytë ka në dispozicion 57.6 milion euro të cilat shpërndahen në tre masa. Masa e parë, është masa e investimeve në fermë, për serra si kjo ku ndodhemi. Masa e tretë, agropërpunimi i fruta perimeve, i mishit, pra bulmeti, djathit dhe i verës. Dhe masa numër 7, diversifikimi i fermës që ka të bëjë me një mori zërash që nga akuakultura te bimët medicinale, masat e turizmit rural, agroturizmi ku përfshihen nevoja të gjera të fermerit”, tha Krifca.

“Në masën e parë mbulimi me grant shkon deri në 70 përqind të investimit për zonat malore dhe 65% për fermerët e rinj. 60 përqind për gjithë të tjerët. Tavani në masën e parë është deri në 500 mijë euro investim. Për masën numër tre financimi është 50 përqind e investimit. Në masën numër tre tavani shkon deri në 2 milion euro investim. Në masën 7, financohet 65 përqind grant në tavanin 400 mijë euro”, shtoi drejtoresha e AZHBR.

Thirrja e IPARD 2, qëndron e hapur një muaj e gjysmë, nga 30 Tetori deri në 16 dhjetor. Gjatë kësaj kohe, subjeket e interesuara kanë hapësirë për të sjellë dokumentacionin e aplikimit në AZHBR.

Lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, dosja duhet të përmbajë një biznes plan për investimet që shkojnë 20 mijë euro e sipër dhe një projekt teknik.

Gjithashtu nevojitet dokumentacioni që vërteton se aplikanti është fermer që ka të paktën një eksperiencë tre vjeçare në menaxhimin e fermës. Nëse nuk e ka këtë eksperiencë, deri në fund të investimit duhet të tregojë që do edukohet për të menaxhuar një fermë dhe këtë e menaxhon universiteti bujqësor ku ofrohen klasa edukimi.