Valdrin Pjetri flet për TemA dhe kujton nënën e tij: Shkodra njeh veprat e saj, do jem në rrugën e saj

Nga Fernada Cenko -Ish prefektit të Shkodrës i është besuar gara për bashkinë e Shkodrës. Kryeministri Edi Rama kandidoi emrin e Valdrin Pjetrit si kanidaturën më të mirë për këtë bashki, e cila drejtohet nga Voltana Ademi e Partisë Demokratike. Pjetri në një intervistë për Gazeta TemA ka renditur arsyet se pse shkodranët do e votojnë atë.

Kandidati i PS-së është treguar i kujdesshëm për të mos e përmendur emrin e kryetares aktuale Voltana Ademi, por sigurisht ka kritikuar punën e saj deri tani. Ai mendon se koha e drejtuar nga demokratët në Bashkinë Shkodër është gjëja që e favorizon më shumë. Gjatë intervistës Pjetri pohon modestish nëna e tij ka qenë inxhiniere që ka ndërtuar vepra në Shkodër, që shkodranët pse jo, të votojnë djalin e saj në rrugën e veprave të tjera në këtë qytet që prej vitesh është fituar nga demokratët.

Z. Pjetri ju jeni kandidat për Bashkinë Shkodër, nga ju erdhi propozimi? Propozimi për të kandiduar për kreun e Bashkisë Shkodër nga Partia Socialiste ose më saktë nga kryetari i kësaj force politike Edi Rama ka ardhur para disa muajve, në kohën kur ende nuk ishte agravuar situata politike. E kam mirëpritur këtë propozim, që me pranimin e pozicionit të prefektit të Qarkut Shkodër, sepse pavarësisht që aktiviteti im i përditshëm ka qenë në Tiranë, unë me vendlindjen time nuk kam ndërprerë në asnjë moment kontaktet.

Si jeni ndjerë kur ju është bërë me dije ky propozim? Jam ndjere i privilegjuar dhe padyshim që në momentin e parë e kam konsideruar si një sfidë personale, të përfaqësoj Partinë Socialiste në këtë garë elektorale. Mundësia për të kandiduar për Bashkinë Shkodër nga PS-së të vjen një herë në jetë!

E quani garë? Theksoj garë elektorale, sepse asnjë socialist e mbi të gjitha kreu i Qeverisë nuk ka imagjinuar që do të ndodhte kjo lajthitje politike e opozitës së djeshme parlamentare dhe sot opozitës së rrugës. Asnjë nga ne nuk e dinte që Partia Demokratike, ose me saktë lidershipi i saj do braktiste misionin e saj si opozitë në rrugë institucionale, në Kuvend e veçanërisht në përballjen me partinë në pushtet në institucionin e zgjedhjeve.

Jeni i vetedijshëm se po garoni në një zonë që historikisht njihet për bindjet e djathta. Në mungesë të një kandidati tjetër, si do ti bindni të gjithë skeptikët për të votuar për ju? Sa i përket pyetjes tuaj, që Shkodra është një zonë historikisht me bindje të djathta, do më duhet t’ju kujtoj se nga viti në vit Partia Socialiste dhe e majta ka shënuar rritje të konsiderueshme, madje në vitin 2013 pati përmbysjen historike ku numerikisht me mandate deputetësh raporti ishte 6/5 për të majtën.

Në pushtetin vendor Partia Demokratike prej 29 vitesh ka shfrytëzuar çdo mjet, që nga administrata, ndihma ekonomike apo dhe shërbimet më jetike që ofrohen nga bashkia, duke qenë agresive ndaj të majtëve të cilët janë ndjerë të detyruar të zhvendosen në qytete të tjera kryesisht në Tiranë dhe duke u kthyer në pjesën pasive apo elektoratit gri që nuk merr pjesë në votim. Por e majta në Shkodër është tkurrur edhe për shkak të keqadministrimit të votave në proceset elektorale të mëparshme. Ama keqmenaxhimi i pushtetit vendor nga e djathta dhe nëpërkëmbja e këtij komuniteti historikisht nga kryetarët e kësaj bashkie veçanërisht kur ekzekutivin e ka drejtuar e majta, sot i ka ndërgjegjësuar edhe shkodranët.

Mendoni se do të ketë pjësmarrje të gjerë? Jam i bindur që pjesëmarrja në votime në Shkodër do jetë në nivelin optimal dhe Partia Socialiste do fitojë besimin e tyre. Pse mendoni se shkodranët duhet të dalin në votime kur kemi një krizë të madhe politike e cila përpos përplasjeve mes palëve nuk po na jep mundësinë të shohim programet tuaja pasi deklaratat mbushen me retorika politike?

Modëstinë mënjanë! Besoj që më ka ndihmuar fati duke qenë djali i një prej inxhiniereve që ka ndërtuar me duart e veta veprat më të rëndësishme hidrike në Shqipëri, nga të cilat furnizohet me energji edhe sot vendi ynë, hidrocentralet. Duke patur një ekspert në familje, them me bindje që nëse do jem në drejtim të bashkise Shkodër nesër e do kem mbështetjen e qevërisë në qendër, projekti e idetë nuk do të mungojnë në këtë drejtim.

Në takimet që unë kam zhvilluar gjatë këtyre ditëve nuk kam bërë asnjë deklaratë apo retorike politike. Jam përqëndruar në fazën e parë të dëgjoj problematikat e komunitetit në çdo cep të bashkisë, për ti përkthyer këto dëgjesa në pika konkrete të programit dhe detyrave të shtëpisë per mua dhe stafin tim nesër në realizimin e tyre. Retorika politike është problem i qendrës. Ne këtu jemi konkretë, me këmbë në tokë e sigurisht koshiente për përgjegjësitë që do kemi pas 30 qershorit.

Çfarë problematikash hasni në terren gjatë takimeve elektorale të cilat mendoni se mund ti mbyllni që në 100 ditët e para të punës suaj si kryebashkiak? Problemet kryesore janë infrastruktura e brendshme e qytetit dhe njësive administrative të Bashkisë Shkodër. Mungesa e shërbimeve dhe kontrollit të territorit, që ka sjellë situata të padurueshme në pastrimin e mbeturinave, gjelberim, ndricim të rrugëve etj.

Problemet në sektorin e bujqësisë siç janë pastrimi dhe mirëmbajtja e kanalaleve të dyta e të treta kulluese e vaditëse, furnizimi me ujë të pijshëm edhe pse Shkodra ka një situatë shumë të mirë hidrike. Mungesa e projekteve për zhvillimin urban, investimet në shkolla, kopshte e çerdhe etj. Problemet janë të panumërta, por sigurisht që do fillojmë nga ato më kryesoret, që i përmenda më sipër e që sigurisht do sjellin ndryshim të dukshëm për të gjithë qytetarët nga Thethi në Velipojë.

Nëse do të kishit përballë një kandidat tjetër, cilat mendoni se do të ishin favoret tuaja që shkodranët do t’ju zgjidhnin? Në favorin tim është mbi të gjitha koha. 30 vjet janë mëse mjaftueshëm bindëse për shkodranët që duhet të ndryshojnë gjërat. Që Partia Demokratike nuk mund të kthehet në Parti të Punës në Shkodër e të sundojë në këtë monizëm të gjatë një pushtet kaq të rëndësishem siç është bashkia. Sigurisht nëse do kisha përballë një kandidat tjetër në favorin tim do ishte përvoja positive e krijuar në vite në institucione të ndryshme. Do ishte projekti dhe vizioni im për Shkodrën që shkon në një rrymë me projektin dhe vizionin që Partia Socialiste ka për Shqipërinë, për zhvillimin dhe rilindjen urbane.

Në Shkodër shpesh herë thuhet se Partia Socialiste është e ndarë në disa klane… Ju si do të arrini ti bindni për të bashkëpunuar?

 Gjatë kësaj periudhe unë jam njohur më në thellësi me strukturat e Partisë Socialiste në Shkodër. Ka pakënaqësi, por jo klane. Sigurisht që nga dita e parë që unë jam prezantuar me strukturat kam gjetur përkrahjen e tyre. Kam parë në sytë e socialistëve të Shkodrës driten e shpresës për të fituar e sigurisht për të punuar të gjithë bashkë në rindërtimin e këtij qyteti për të gjithë, të majtë e të djathtë.