Champions League ka ofruar rezultate surprizë në ndeshjet e katërta në grupe. Inter i Contes ka humbur në Gjermani përballë Dortmund dhe rrezikon seriozisht kualifikimin. Verdhezinjtë kanë bërë një ndeshje të madhe pasi përmbysën rezultatin 0-2 të zikaltërve.

Martinez dhe Vecino kaluan ekipin e tyre në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë por në pjesën e dytë gjithçka u përmbys. Dy herë Achraf Hakimi dhe një herë Julian Brandt mjaftuan që Dortmund të marrë një fitore të madhe për kualifikim.

Ndërkohë Barcelona hodhi një hap fals duke barazuar 0-0 ndaj Slavia Pragës. Tashmë Interit në grupin F i duhen patjetër 6 pikë në dy ndeshjet e fundit për të shpresuar.

Në grupin H Chelsea ka bërë një ndeshje të çmendur përballë Ajax dhe pse vendimet gjyqtarit përcaktuan shumë fatet e ndeshjes. Që në fillim të ndeshjes holandezët kaluan në avantazh me një autogol të Tammy Abraham por kundërpërgjigjia erdhi shpejt me një penallti të realizuar nga Jorginho. Quincy- Promes dhe një autogol i Arrizabalagës shokuan ekipin e Lampard në pjesën e parë duke e mbyllur në disavantazh 1-3. Në pjesën e dytë Donny van de Beek thelloi avantazhin përsëri.

Por brenda 10 minutash Chelsea shënon tre gola dhe Ajaxit i jepen dy të kartona të kuq për Blind dhe Veltman. Azpilicueta, Jorginho dhe Reece James kthyen balancat në 4-4. Por londinezët ishin shumë afër çmendurisë, kur përsëri kapiteni Azpilicueta shënoi për 5-4 por goli u anulua pasi Tammy Abraham preku më parë topin me dorë.

Në këtë grup tashmë situata komplikohet pasi me fitoren e Valencias 4-1 ndaj Lille tre skuadrat, Chelsea, Ajax dhe Valencia qëndrojnë në krye të grupit me 7 pikë.

Në grupet e tjera E dhe G, Napoli u nda në barazim me Salzburg kurse Liverpool mori një fitore modeste ndaj Genk. Nga ana tjetër Leipzig mposhti sërish Zenitin ndërsa Lyon u hakmor me fitore ndaj Benfica-s.