Instituti i Shëndetit Publik në një njoftim zyrtar shprehet se vaksinimi kundër fruthit për fëmijët, sipas Kalendarit Bazë të Vaksinimit, është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin, si dhe për të ulur rastet e vdekjeve nga fruthi.

Vaksina kundër fruthit është përdorur qysh në vitet 1960 dhe është e sigurt dhe efektive.

“Në nivel global vdekjet nga fruthi janë zvogëluar mjaft vitet e fundit për shkak të aplikimit të vaksinës. Për të parandaluar fruthin, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e të gjithë fëmijëve si dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është e kundërindikuar”, informon ISHP.

Vaksina e fruthit aplikohet së bashku me vaksinën kundër rubeolës dhe shytave.

“Për të siguruar mbrojtje të sigurt dhe për të parandaluar shpërthimet rekomandohen të bëhen dy doza të vaksinës. Kjo sepse rreth 15% e fëmijëve të vaksinuar nuk fitojnë imunitet nga bërja vetëm e dozës së parë”, shprehet ISHP-ja.

Fruthi shkaktohet nga një virus i cili është shumë ngjitës.

“Virusi infekton aparatin e frymëmarrjes dhe përhapet nëpërmjet spërklave nga hunda, goja ose nga fyti i personave të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, si dhe nga kontakti i ngushtë personal, ose kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionet e infektuara të hundës ose të fytit”, sqaron ISHP-ja.

Po ashtu ISHP informon se virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë. Ai mund të transmetohet nga një person i infektuar 4 ditë para fillimit të shpërthimit të puçrrave, si dhe deri në 4 ditë pas shpërthimit të tyre.