Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një interpelancë në seancën plenare të Kuvendit, e thirrur nga deputeti Muslim Murrizi, deklaroi se për të luftuar informalitetin në vend po synohet të ndërtohen sisteme dhe jo të luftohet përmes kontrolleve dhe inspektorëve.

Kontrollet, tha ajo, në biznese janë bazuar te analiza e riskut dhe metodave inteligjente. Por, Denaj theksoi se lufta ndaj informalitetit mbetet një sfidë jo vetëm e administratës shqiptare por e të gjitha administratave.

Denaj theksoi se në 3-mujorin e fundit plani operacional i koordinuar nga disa institucione në vend kundër informalitetit u fokusua në sektorin e turizmit. Kjo sipas saj, jo për të goditur këtë sektor në pikun e sezonit, por për të ndërgjegjësuar biznesin të zbatojnë ligjin.

“Kemi kryer një fushatë ndërgjegjësimi përmes letrave dhe telefonatave, më pas është kaluar në kontrolle pranë bizneseve”, deklaroi Denaj. Biznesi i ndershëm, siguroi Denaj pavarësisht zbatimit të planit operacional ka rritur fitimin deri edhe në 100%. Fitimi mesatar në këtë sektor llogaritet 27%, por disa biznese të cilat janë korrekte me zbatimin e ligjit kanë arritur deri në 100 % fitimin. Janë ushtruar 6206 kontrolle në subjekte që perojnë në fushën e turizmit. 2412 subjekte janë gjetur me shkelje. Gjetja e rreth 39% e subjekteve të kontrolluara me shkelje tregon një situatë jo të kënaqshme në raport me formalizimin” ”, vuri në dukje Denaj.