Më shumë transparencë me testimin e informatizuar për t’u punësuar me portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër fazën e dytë të konkurimit për 1734 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike, të cilët do të testohen gjatë gjithë muajit Shtator, sipas kalendarit të shpallur tashmë dhe të bërë publik në portalin “Infermierë për Shqipërinë”.

“Me përfshirjen në ligj të portalit “Infermierë për Shqipërinë” kemi përmirësuar edhe mënyrën e testimit, për të përthithur në sistem më të mirët. Tashmë testimi është i informatizuar dhe rezultatet dalin në kohë reale, duke rritur maksimalisht transparencën”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se me portalin “Infermierë për Shqipërinë” më të mirët punësohen në sistemin shëndetësor publik, Manastirliu tha se portali hapet dy herë në vit për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të aplikuar për punë.
Që prej hapjes së portalit “Infermierë për Shqipërinë” janë 1580 infermierë, mami, teknikë të imazherisë e laboratorit dhe fizioterapistë të punësuar në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike.

E pyetur në lidhje me largimin e infermierëve, Manastirliu tha se fluksi i lartë i aplikimeve tregon për interes të shtuar për punësimin në sistemin publik.
“Aktualisht janë 1734 infermierë që po testohen vetëm në konkursin e Shtatorit, ndërkohë që janë në listë pritje 801 infermierë fitues për të patur një vend pune në sistemin publik. Ndërsa çdo vit licensohen rreth 2300 infermierë, pra nuk kemi një shqetësim të vazhdueshëm për infermierët”, – tha Manastirliu.

Në sistemin shëndetësor publik janë të punësuar rreth 13 mijë infermierë, ndërsa të licensuar janë mbi 22 mijë infermierë.