Galeria më e re në kryeqytet, “TiranArtGallery”, e cila fton artistë të huaj edhe shqiptarë për të ekspozuar u inaugurua këtë fundjavë. Artistët e rinj edhe të afirmuar në tregun e artit pamor mund të ekspozojnë punët e tyre në këtë galeri. Në ekspozitën e parë, “Abstraksioni në art” që u çel në këtë inaugurim prezantojnë punët e tyre dhjetë artistë, mes tyre edhe vet artistja Tinamaria Marongjiu. Gjatë ceremonisë artistja, së bashku me Besim Petrelën, drejtorin e Artit dhe Kulturës në Tiranë u shprehën se:

Artistja Tinamaria Marongiu: Nuk jam një galeriste. Nuk dua që të jem një galeriste, mbase do të bëhem provizorisht për shkak të kësaj hapësire edhe për respekt të miqve të mi artistë, që më dhanë këtë ide. Por për mua kjo hapësirë është pak edhe shtëpia ime. Prandaj dua që kush do të vijë këtu, të vijë në mënyrë të hapur… E nisa këtë udhëtim të kësaj ekspozitë të parë me kritikun e artit, Girogio Gregorio Grasso (Xhorxhio Gregorio Graso), i cili në këto momente s’është këtu për arsye personale. Unë i kam dhënë dakordësinë për të filluar, por është ai ideatori. Është një person shumë i hapur ndaj artit emergjent, sepse arti emergjent nuk po gjen shumë hapësirë. Sot është më e rëndësishme ari si biznes, prandaj kush blen piktura i blen si investim. Është një aventurë për të ndihmuar të rinjtë, kjo hapësirë lind edhe për këtë arsye. Nuk është e thënë që vetëm të famshmit, ata që kushtojnë shumë duhet që të hynë në galeri. Do të jenë në këtë galeri edhe të rinjtë. Unë e quaj veten të re edhe pse kam disa vite që punoj si artiste. E quaj veten të re, sepse ka përherë diçka për të mësuar.

Besim Petrela, drejtor i Artit dhe Kulturës: Dëshiroj që ta falënderoj Tinën për iniciativën dhe kurajën, nuk është e lehtë që të hapësh një galeri në Tiranë. Unë si drejtor i Artit dhe Kulturës, që ne kemi një objektiv që të hapim një galeri arti në Tiranë. Nuk është e lehtë që kjo të arrihet. Ju falënderoj për këtë iniciativë, që kjo hapësirë do të shërbejë si hapësirë ekspozimi për artistë shqiptarë edhe të huaj. Shpresoj që kjo galeri të gjallërohet me vepra të reja herë pas here. Kjo do të ishte një risi edhe një vlerë për qytetarët e Tiranës.

Ekspozita do të qëndrojë hapur gjatë gjithë muajit shtator.