Nga Alfred Peza//

I

lir Meta nga sot e ka pozicionuar veten, në një rol të ri udhëheqës brenda “Opozitës së Bashkuar”. Ai që u nis të ngjitej në Krye të Shtetit, me 87 votat e deputëve të saj legjitimë, ka përfunduar tashmë si “President” i një “Republike” jashtparlamentare.

Ilir Meta e Monika Kryemadhi, Sali Berisha e Lulzim Basha kanë dalë me koshiencë, jashtë shinave kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. E duke themeluar në vend të saj, një “Republikë” të re. “Republikën e Rrugës.”

Para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit 2017, me futjen e opozitarëve në çadrën e protestës në bulevard, Lulzim Basha tha se ishte në kërkim të një “Republike të Re”. Një Republike, e cila do të ishte ndryshme, nga kjo ku na qeveris Edi Rama.

Pas 3 muajsh dihet që ajo protestë përfundoi me një marrëveshje politike, që e riktheu PD në zgjedhje, vetëm pasi mori gjysmën e ministrave të qeverisë “Rama” dhe disa nga drejtorët e agjensive më të rëndësishme kombëtare.

As kjo garanci, për të cilën Sali Berisha është shprehur se ai vetë kurrë nuk do tia jepte Edi Ramës, nuk e rikthyen shpejt në pushtet Lulzim Bashën. Kur e kuptoi se nuk e mundte dot PS me votë, kryetari i PD rinxorri nga arkivi projektin e vjetër, për ndërtimin e “Republikës së Re”.

Kjo platformë parapolitike, vetëm tani kuptohet se parashikonte ndërtimin e një një Republike të re, ndryshe nga ajo që ka njohur deri më sot jo vetëm Shqipëria post komuniste, por edhe historia e shoqërisë njerëzore.

Sipas projektit të “Republikës së Re”, opozita e Shqipërisë duhet ta fitojë pushtetin, në tavolinë. Vendimi i parë që duhet të marë në qeverisje, është zhbërja e reformës në drejtësi. Vetëm kështu “katërshja” e liderëve të opozitës së rrugës, do të jetë e qetë për krimet dhe korrupsionin e 30 viteve, në këtë Republikën tonë të “vjetër”.

Nëse “Edi Rama nuk ikën”, atëherë projekti i “Republikës së Re”, parashikon që “opozita të shkrihet”: Duke dalë jashtë Parlamentit. Jashtë institucioneve kushtetutese të vendit. Jashtë sistemit politik. Jashtë sistemit elektoral. Jashtë sistemit demokratik. Jashtë pushtetit qëndror dhe jashtë pushtetit lokal.

Në “Republikën e Re” qytetarëve u mohohet e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur në mënyrë periodike, çdo 4 vjet. Partitë politike nuk duhet të hyjnë më në zgjedhje. Presidenti i Republikës nuk duhet ti dekretojë qytetarëve të tij, një datë votimesh. E pas kësaj, ai duhet ti japi atyre ZERO shanse, për tu integrar në Bashkimin Europian.

Në këtë mënyrë, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që zyrtarizoi 30 Qershorin 2019 si datën e zgjedhjeve lokale, projekti politik i “katërshes” së liderëve të opozitës së rrugës, mer formë përfundimtare.

Ilir Meta tani ska pse mërzitet, nëse Parlamenti do ta shkarkojë, për shkak të shkeljeve të rënda kushtetuese. Ai e ka bërë zgjedhjen e tij. Duke u bërë me vetëdije, Presidenti i “Republikës së re të Rrugës”. Ai e ka merituar plotësisht këtë. Më shumë se askush tjetër.