Pas shumë roleve që i kishim njohur këto kohë, Ilir Meta me kostumin e Presidentit të Republikës, ka marë edhe një rol të ri sot.
Nga njeri mbi palët, Ilir Meta vazhdon të na tregojë se është palë.
Nga njeriu që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar, Ilir Meta vijon të tregojë se përfaqëson unitetin vetë të “popullit” opozitar jashtparlamentar.

Nga njeriu që duhet të bëjë çmos që të gjejë pikat e përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës, ai vijon të ekspozojë të vetmen pikë që i ndan ato sot.

Nga njeriu që duhet të mari përsipër përgjegjësitë e tij, ai vijon të bëjë lojën e “strucit” politik, duke dashur të tregojë vetëm ato të të tjerëve.
Nga sjellësi i dialogut, marrëveshjeve, komunikimit mes palëve dhe kompromiseve, ai sot ka treguar se ka marë përsipër vetëm rolin e katalizatorit të ndarjes së tyre dhe atë të “sjellësit të fatkeqësive”.
Për ta parë këtë, mjafton të lexoni këtë prononcim të sotëm të Metës për gazetarët:

– Zoti President, a rrezikon vendi të shkojë në përplasje civile në kohën që kriza politike po thellohet dhe palët politike janë ekstremisht të kundërta në qëndrimet e tyre?
Mendoj që kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vjetësh, që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq.
Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990.

– Zoti Meta, kush i ka këto interesa okulte për të cilat flisni ju?
Nuk i kanë ata të cilët mezi po presin turizmin dhe shtimin e rezervimin dhe jo anulimin e rezervimeve.

– Kryeministri thotë që Ju nuk i keni ftuar në një tryezë për të zgjidhur krizën politike. A do të ndërmerrni një hap të tillë në vijim? Ju keni thënë në mënyrë të vazhdueshme se edhe jo publikisht keni bërë ç’të mundeni për të shpëtuar krizën politike në vend…
Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë te të tjerët aq më tepër te Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshme për pasojat që do kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit.

Siç shihet Presidenti i Republikës, sipas Ilir Metës paska vetëm një detyrë: Të thotë “larg b*thës time” dhe se pas kësaj, do bëhet qameti!
E lum si ne pë Kryetar Shteti që kemi. Kemi mbërritur në atë pikë që tironsit e vjetër e përkufizonin:
“Kam President, kam. Se pa gjo nuk jam!”
Nga Alfred Peza/