Nga Skënder Minxhozi/

“Më kapën në baçen e komshiut, por nuk kisha hyrë pa leje. Vetëm sa kisha tejkaluar gardhin e baçes time”. Kjo është linja që po përdorin këto orë në Presidencë dhe rreth saj (kupto në opozitë dhe mediat aleate), pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, për ta kthyer karikaturën e anullimit dhe shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, në një histori suksesi. Dhe në një bazë ligjore të mjaftueshme për Ilir Metën, per të mos dhënë dorëheqjen.

Presidenti i Shqipërisë, sipas raportit të Venecias, ka gabuar kur ka anulluar zgjedhjet që kishte shpallur fillimisht, ka vepruar në mungesë të situatave të jashtëzakonshme, kur zgjedhjet mund të shtyhen, ka shpërfillur konsensusin politik dhe vijuar me kokë të vet, drejt një procedurë që përbën “tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese”. Pra, kapërcim të sinoreve brenda të cilave duhet të ushtrojë detyrën si kryetar shteti.

Formulimi i Komisionit se këto shkelje, sipas tij, nuk janë të tilla që të çojnë në shkarkimin e Ilir Metës, mund ta ketë shpëtuar formalisht mandatin e presidentit. Pasi e kushtëzoi të ardhmen e hetimit parlamentar të Metës me opinionin e Venecias, kryeministri do ta ketë më të vështirë të avancojë me projektin e shkarkimit, pasi opinioni doli në konkluzionet e mësipërme.

Por fati personal i presidentit ishte në të vërtetë një aksesor në krizën politike të verës që po mbyllet. Pakkush priste që amullia në parlamentin shqiptar, presioni i opozitës në rrugë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe hyrja në lojë e Venecias, të krijonte kushtet për furtunën perfekte, që do të merrte me vete Ilir Metën. Megjithëse ky president do të duhej shkarkuar qoftë edhe vetëm për shkeljen flagrante të dhjetorit të shkuar, kur mori përsipër të fusë duart në listën e ministrave për t’u shkarkuar dhe t’u emëruar.

Nga ana tjetër, gondola veneciane nuk ka arritur shpëtojë pjesën më të rëndësishme të asaj që Ilir Meta ka të shtrenjtë në krizën aktuale: fabulën politike me të cilën luftoi për muaj me rradhë. Provohet sot nga arbitra të paanshëm, se 30 qershori nuk duhej shtyrë, se zgjedhjet e “mynxyrshme” me një parti nuk janë shkas i mjaftueshëm për të anulluar procesin, se Kreu i shtetit shkeli kompetencat duke anulluar zgjedhjet dhe se nuk pyeti askënd për datën e re të zgjedhjeve.

Ka rënë e gjithë teorema logjike që Ilir Meta (e bashkë me të edhe opozita), u munduan të ndërtojë, duke vënë emrin dhe fytyrën e vet në rreshtin e parë të luftës kundër zgjedhjeve lokale. Teksa bëhet gati të rehatohet në poltronin presidencial, ka një detyrim publik të thotë diçka për këto shkelje që ia gjeti Komisioni i Venecias. Ashtu siç ka detyrimin të na thotë se çfarë duhet të bëjmë ne zgjedhësit, në datën 13 tetor të këtij viti!

Si çdo krizë shqiptare, që është e ngatërruar, e keqlexuar, keqinterpretuar dhe e manipuluar deri në fyt nga lojrat e pista që prodhon bulevardi qëndror i Tiranës, edhe kjo e shkarkimit të presidentit me shumë gjasë do të endet pa busull në detin e sherreve dhe debateve shterpë. Jemi të zotët vetëm të krijojmë dhe mbajmë gjallë kriza, jo të gjejmë zgjidhje.

Në këtë zallamahi tipike shqiptare, raporti i fundit i Komisionit të Venecias na thotë se Ilir Meta ka mbajtur postin, por ka humbur fabulën politike. Zgjidhni e merrni cila nga të dyja është më e rëndë…