Nga Flogert Muça/

Ilir Meta ditën e djeshme ka firmosur një dekret nul, duke emëruar Marsida Xhaferllarin (e rënditur e fundit në listën e KED me më pak pikë) si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në tejkalim të çdo afati ligjor, Presidenti Meta ka zbarkuar nga Parisi dhe ka firmosur një dekret pengues për plotësimin e GJK, pasi dukshëm atij nuk i intereson që ky institucion të fillojë punën.

Ajo që e bën qesharak Ilir Metën në këtë histori është fakti se deri dje ai vetëdeklarohej si dashnori më i ethshëm i krijimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e lidhur këtë edhe me kërkesat e Gjermanisë për Shqipërinë. Natyrisht që pakkush e besoi Ilir Metën kur hiqej si i merakosur për Kushtetuesen dhe për këtë ka realisht një arsye të fortë.

Ilir Meta është personi i fundit që i intereson ngritja e Gjykatës Kushtetuese, pasi tejkalimi i kompetencave të tij si President në ç’dekretimin e 30 qershorit (konfirmuar e zeza mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias) mund të cojë në shkarkimin e tij nga kjo gjykatë. E kjo është frika më e madhe e Ilir Metës sot.

Për këtë arsye ai po bën çdo manovër që mundet për ta penguar ngritjen e kësaj gjykate, duke firmosur dekrete të pavlefshme fill pasi SHBA-BE përshëndetën votimin nga Kuvendi të dy anëtarëve të rinj të GJK. Pavarsisht se Meta mendoi se mund ta bllokonte ngritjen e saj duke mos dekretuar brenda afatit kandidatin e tij të dytë, kur pa që Kuvendi votoi listën që i takonte dhe SHBA-BE e duartrokiti këtë vendim, ai bëri lëvizjen e radhës duke firmosur një dekret nul thjeshtë dhe vetëm për të krijuar ngërç.

Stërkëmbëshi që Ilir Meta po përpiqet t’i fusë ngritjes së GJK, siç ka bërë vazhdimisht edhe me reformën në drejtësi si e tërë, është një tregues i qartë i hallit që e ka zënë dhe e vetëdijes së tij për të gjitha shkeljet e bëra si President.

Mjafton ta shihje mbrëmë kur përplasej në tavolinë para mediave si ai fëmija që nuk merr lodrën që do, për të kuptuar se Ilir Meta është në një siklet të madh, ndaj do bëjë ç’mos, qoftë edhe duke sulmuar si të korruptuar SHBA-BE, për të mos lejuar fillimin e punës nga GJK. Pasi fillimi i punës nga GJK për të është edhe fillimi i fundit të tij në zyrën e Presidentit, zyrë të cilën e ka përdorur në mënyrën më të turpshme për të bërë politikë për interesa të ngushta personale e politike./Lexo.al