Nga Dritan Hila

Si vis pacem para bellum, “Nëse do paqen, përgatitu për luftën” është një maksimë e vjetër romake që e pëlqejnë të gjithë strategjistët. Dhe përgatitjet për luftë nuk duhet të jenë formale, por serioze, me shpresë që kundërshtari të trembet për ta filluar atë dhe nëse e fillon, të humbasë.

E tillë është edhe përgatitja e Metës. Serioze. Si fillim ai zhvlerësoi ambasadorët perëndimorë. Ndoshta është një hap i gabuar i tij pasi ata do të jenë ndërmjetësit për armëpushime ose paqe. “Mos i mbyll asnjëherë të gjitha shtigjet e tërheqjes” thotë Von Klauzevic, një tjetër strategjist i luftërave moderne.

Por ky hap i presidentit mbase synon të tregojë që është në një betejë për jetë a vdekje ku në fund vetëm njeri do të mbesë në këmbë. Hapi tjetër është takimi me ish presidentët, ku më shumë sesa vlerë praktike, është për imazh. Berisha është i vetmi që i intereson Metës, qoftë për të mësuar pozicionin e tij e qoftë sepse ka ushtarë.

Hapi i fundit është takimi me hartues të reformës në drejtësi. Edhe kjo është për efekt mediatik. Nuk ka nevojë për mendimin e tyre, pasi një mendim tashmë e ka për këtë reformë. Mbetet që të hedhë hapin final dhe të shpërndajë parlamentin. Me shumë gjasa ky do të jetë një hap si dekretimi për zgjedhjet e 13 tetorit. Mazhoranca nuk do ta marrë parasysh pasi presidenti nuk e ka këtë kompetencë pa ja kërkuar kryeministri, dhe do të procedojë me shkarkimin e presidentit. Por ky akt duhet të noterizohet nga Gjykata Kushtetuese e cila është e bllokuar. Dhe kështu vijmë në kolapsin institucional, ku Parlamenti nuk njeh presidentin dhe anasjelltas.

Me rrugën opozita e provoi dhe nuk rezultoi efektive. Gjithashtu partia më e madhe opozitare, PD-ja, ngjan se nuk ka ndonjë vullnet ta ndjekë në këtë rrugë. Shqipëria nuk është më ajo e 97-ës dhe as LSI-ja nuk është PD-ja sa i takon ndjekësve. Dhe çfarë është më kryesorja, masa e madhe e shqiptarëve nuk ka asnjë oreks për destabilizim të vendit dhe nuk sheh asnjë tribun lirie në asnjërin krah, përveçse tri palëve që kanë hall me drejtësinë.

Por edhe në skenarin më katastrofik, do të mbetet vendimtare ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Në fakt është gjëja më e turpshme që pas 107 vjetësh si shtet, të ndërhyjnë rishtas ndërkombëtarët për të qëruar hesapet e brendshme. Një shteti që nuk është kam-kum, në këtë moshë i ndërhyjnë vetëm kur ka probleme lufte ose paqeje me fqinjët pasi kërkon ekspansion territorial. Por këta kemi ne: infantilë të përjetshëm.

Gjithsesi ende ata kanë gurin dhe arrën në dorë. Në të gjitha format. Dhe ca më shumë me këta klasë politike 30-vjeçare, që ia kanë gjithë kartat dhe llogaritë bankare nëpër dosje. Fatmirësisht./dritare.net