Ashtu si edhe herën e fundit kur kishte humbur derbin, afërsisht 6 vite më parë, edhe në rastin e fundit Partizani ka bërë ‘kurban’ trajnerin. Franco Lerda, ende pa mbushur 6 muaj nën drejtimin e kampionëve të Superligës, ka ndërprerë bashkëpunimin si pasojë e kërkesës së presidentin Gaz Demi, i cili nuk e ka pëlquar aspak menazhimin e ndeshjes nga italiani në humbjen 1-2 me Tiranën.

Lajmi është dhenë nga vetë klubi në një njoftim të shkurtër në faqen zyrtare, ndërsa menjëherë kanë filluar të flitet për alternativat. Si fillim kanë qarkulluar emrat e ish-lojtarëve apo trajnerëve që aktualisht drejtojnë në Superligë, por ajo që bën përshtypje është dëshira e tifozëve. Kanë qenë të panumërta komentet e mbështetësve të kuq në faqen e klubit ku kërkohet rikthimi i Skënder Gegës, trajnerit që sezonin e kaluar shpalli kampion Partizanin pas 26 vitesh.

Emri i Gegës u përmend edhe disa ditë më parë për drejtimin e Tiranës, por tanimë duket se kushtet janë për rikthimin në shtëpi. Problem mbetet vetëm dora e lirë që trajneri kërkon në skuadër, por në këtë rast dëshira për të bërë mirë mund të zbusë drejtuesit.

Ndërkohë përveç Partizanit, e shtuna në mbrëmje ka qenë shumë e ashpër edhe për trajnerë të tjerë. Lerda ka tërhequr pas vetes edhe trajnerin e Teutës Blendi Shkëmbi, i cili ka mbyllur marrëveshjen me klubin durrsak pas humbjes 4-0 kundër Kukësit. Të njëjtin fat ka patur edhe trajneri grek i Luftëtarit Marantes, që është shkarkuar nga drejtuesit Gjirokastrit pas humbjes 4-0 me Laçin.