Dukesha e Sussex ka ngritur një padi ndaj Daily Mail-it duke e akuzuar se publikoi në mënyrë të paligjshme një nga letrat e saj private. Në një deklaratë, duka i Sussex tha se ai dhe Meghan u detyruan të ndërmerrnin veprime kundër “propagandës së pamëshirshme”. Princi Harry tha: “Humba nënën time dhe tani shikoj gruan time që po bie viktimë e të njëjtave forca të fuqishme”.

Një zëdhënës i medias tha se Daily Mail do ta mbrojë fuqishëm çështjen. Firma juridike Schillings, që mbron Dukeshën, akuzoi gazetën se po bën një fushatë me histori të rreme. Firma paraqiti padinë pranë Gjykatës së Lartë kundër Mail për shpërdorim të informacionit privat, shkelje të së drejtës së autorit dhe shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave 2018.

Akuzat vijnë pasi Mail publikoi një letër me shkrim dore të Meghan Markle drejtuar babait të saj Thomas Markle, të dërguar menjëherë pasi ish-aktorja u martua me Princ Harry-n në vitin 2018. Ndërkohë Duka, duke iu referuar vdekjes së nënës së tij, Princeshë Dianës, tha se frika e tij më e madhe është që historia të përsëritet.

“Kam parë se çfarë ndodh kur një dikush përndiqet deri në atë pikë saqë nuk trajtohet ose shihet më si njeri i vërtetë”, tha Harry në deklaratë.