Kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Gjirokastër ka ironizuar me protestën e PD-së së Gjirokastrës që sipas tij tentuan ti bllokojnë rrugën.

Por Rama para të pranishmëve ka thënë se protestuesit ishin në anë të urës së Vironit, ndërkohë që shfrytëzuan kalimin e kryeministrit për të bërë fotografi.

Më tej kryeministrit ka ironizuar me strukturat e PD-së, duke thënë se i nisën fotografi Sali Berishës sikur i bllokuan rrugën.

“Kjo është qeveria që beson tek dëgjimi i njerëzve dhe tek bashkëqeverisja me njerëzit. Qeveria që nuk i thotë plaç atyre që protestojnë për të drejtat e tyre dhe jo më pastaj t’i japi plumbin ballit.

Ndërkohë kemi parë një protestë tjetër. Një protestë të atyre që populli i largoi 5 vjet e gjysmë më parë, ekzaktësisht për të gjitha ato arsye që ata thonë se po protestojnë.

Shqipëria, sot ka probleme me krimin, ka probleme me korrupsionin, ka ende luftë për të bërë me trafiqet e të gjitha llojeve, por, a ishte diku këtu afër, apo ishte në hënë ajo Republika për Faqen e Zezë të Lazaratit, që kishte të gjithë bekimin e tyre, mbrohej prej tyre dhe ata përfitonin prej saj, ashtu sikundër dhe e gjithë mbulesa e heshtjes mbi këtë fenomen që ishte mbi të gjithë Shqipërinë.

Ne e luftuam fenomenin dhe e nxorëm atë në pah çdo ditë dhe u duk sikur fenomeni lindi atë ditë që u vu në qendër të vëmendjes. Ashtu sikundër kemi luftuar edhe të tjera fenomene.

Të jeni të sigurt, lufta jonë e vendosur për çrrënjosjen e kanabisit, gjë që është e konfirmuar për vitin e dytë radhazi dhe lufta jonë e vendosur për reformën në drejtësi kanë prekur interesa dhe kanë futur në panik shumë grupe dhe shumë njerëz.

Ashtu sikundër edhe lufta më e fundit që kaloi gjysmë në heshtje, mos mendoni se ka prekur pak dhe mos mendoni se ata që janë prekur janë si ju, ata të cilët ishin pas industrisë së lumit të kumarit në gjithë Shqipërinë.

Janë të gjitha këto forca të prekura që sot përfaqësohen nga ata që thonë po lëmë mandatet dhe po shkojmë me popullin.

Me cilin popull? Kush është populli? Tritani Shehu me Dashon e Lazaratit dhe me 30 veta që kishin dalë tek ura e Viroit, për të dalë fotografi dhe për të treguar që më zunë rrugën mua?

Edhe nuk ishin as në mes të rrugës, ishin në anë të rrugës, por fotografinë që i kanë çuar Saliut e kanë bërë në mes të rrugës. Ata janë populli? Apo janë populli, ata që mbyllin bashkitë për qytetarët gjithë ditën dhe vijnë bëjnë sikur janë aty popull, ndërkohë që janë thjesht rrogëtarë të thirrur me lista për të bërë rolin e popullit e për të pritur në gjirin e tyre deputetët që bëhen popull.

Shikoni sa qesharake është! Populli voton që të çojë vetveten, përmes disave, në parlament. Këta i thonë ne po e lëmë parlamentin e po vijmë të bëhemi si ti. Populli nuk ka nevojë për ta që të jenë aty, por popullit, ata i duhen atje nga ku u arratisën, sepse pasi humbën zgjedhjet, humbën edhe të gjitha debatet. Përfundimisht nuk kanë asnjë mundësi tjetër, përveç se të bëjnë një stazh të gjatë mes popullit, t’i thërrasin mendjes e kur të vijnë zgjedhjet e tjera, të riparaqiten nëse do jenë akoma në vëmendjen e popullit”, tha ai.