U zhvillua sot në Parlamentin e Hungarisë takimi i nëntë i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Europës Juglindore. Në takim morën pjesë kryetarët e Parlamenteve të Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë- Hercegovinës, Hungarisë, të Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë.

Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi e cila shoqërohej nga Vasil Sterjovski deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Arian Spasse, ambasador i Shqipërisë në Hungari.

Hysi përshëndeti këtë takim duke theksuar se “reforma të thella si ajo e drejtësisë, reforma në administratën publike, zhvillimet pozitive në fushën e parandalimit dhe luftimin e korrupsionit, respektimi më i mirë i të drejtave të njeriut, ndonjëherë reforma të dhimbshme, janë ndërmarrë për të mirën e vendit dhe në përmbushje të kritereve të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Qasja e Shqipërisë në rrugën europiane është e një rëndësi e veçantë për Shqipërinë dhe për Ballkanin”.

Kuvendi i Shqipërisë mbështeti deklaratën e miratuar në fund të takimit dhe vlerësoi ndihmën dhe bashkëpunimin e vendeve fqinje që janë anëtare të Bashkimit Evropian drejt rrugës së përbashkët Europiane.

Hysi ritheksoi në fjalën e saj se “rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen evropiane është dhe do të vazhdojë të jetë përparësi. Me gjithë mungesën e vendimit për hapjen e negociatave, ne jemi të vendosur të vijojmë me reformat e nevojshme për të mirën e shtetasve tanë. Integrimi në Bashkimin Europian është rruga e zgjedhur kohë më parë dhe e vetme”.