Një humbje si ajo ndaj Turqisë djeg shumë. Jo vetëm për minutën në të cilën u pësua goli. Jo vetëm për faktin që na nxjerr thuajse zyrtarisht jashtë çdo mundësie për të synuar “Euro 2020”. Por, mbi të gjitha, për vetë mënyrën e mirë të lojës, me rastet e shumta për shënim, të cilat na u kthyen si bumerang dhe na sollën disfatën.

Gjithkush u dëshpërua. Çdo sportdashës. Si ata 2500 shqiptarë nga anembanë Europës që e ndoqën Shqipërinë në Stamboll, stafi, lojtarët… gjithkush. Ama diferencën pas ndeshjes e ka bërë pikërisht trajneri. Edi Reja ka reaguar në mënyrën më të… papritur.

PRAPASKENA

Në dhomat e zhveshjes së Kombëtares, pas ndeshjes së të premtes ka mbizotëruar qetësia. “Panorama Sport” nga burime pranë stafit të kuqezinjve ka mësuar se atmosfera në ekip ka qenë krejt normale. Sigurisht, të gjithë të mërzitur. Mes tyre edhe pak lot nëpër sy, si Thomas Strakosha

Trajneri Edi Reja ka qenë krejtësisht i qetë. Sigurisht, burimet tregojnë se edhe italiani ka qenë shumë i mërzitur. Por, sapo në dhomë janë futur të gjithë, lojtarët dhe stafi. Ai ka ngritur zërin. “Mos u mërzisni. Nuk dua t’ju shoh kështu. Meritonim të fitonim sot”, ka qenë thirrja e trajnerit drejtuar ekipit, lojtarëve dhe stafit që kanë qenë brenda.

Për një trajner që ka kaluar të 100 pankinat në një kampionat si ai në Itali, sigurisht që eksperienca i ka dhënë mundësinë të pësojë edhe disfata të tilla. Por, ajo që është më e rëndësishmja, italiani ka gjetur mënyrën për të mos i rënduar më shumë futbollistët. Përkundrazi. Të gjejë fjalët që sadopak t’ua largojë pikëllimin pas një humbjeje të tillë.