Senati holandez pasditen e sotme ratifikoi Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Lajmin e beri te ditur ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, përmes një postimi ne rrjetet sociale. Pas marrjes së dritës së gjelbër nga Holanda, Protokollin për në NATO do të duhet ta ratifikojnë edhe Franca dhe Spanja, ku më pas Maqedonia e Veriut formalisht do të bëhet anëtarja e 30-të e plotfuqishme e Aleancës.

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot deklaroi se pritet që deri në fund të nëntorit apo deri në Samitin e Londrës të përfundojë ratifikimi edhe në Francë, ndërsa mbetet vetëm ratifikimi në Spanjë, për të cilën vlerësime më të sakta do të mund të bëhen madje pasi të jetë e qartë qeveria e re, shkruan INA.

“Sipas paralajmërimeve, seanca e parë e Parlamentit spanjoll do të jetë në fillim të dhjetorit. Secili spekulim tani, do të jetë vetëm spekulim. Me shumë kujdes i ndjekim ngjarjet, e dërgojmë vazhdimisht porosinë se për ne është shumë me rëndësi, por edhe për rajonin anëtarësimi ynë sa më i shpejtë”, deklaroi Shekerinska, e cila sot ka qenë për vizitë në laboratorët e rinovuara dhe të pajisura me pajisje të reja në Akademinë ushtarake “Gjeneralë Mihailo Apostoloski” në kazermën “Goce Dellçev” në të cilat është instaluar teknologji e avancuare arsimore dedikuar për projektin për avancimin e arsimit në distancë.