Platforma e bashkëqeverisjes, “shqiperiaqeduam.al”, u kthye në një dritare shprese për Sokol Kalemin nga qyteti i Vlorës. Kryefamiljar dhe me aftësi të kufizuara, Sokoli nuk arrinte të gjente punë prej muajsh derisa vendosi t’i drejtohej platformës.

Kryeministri Edi Rama solli rastin e këtij qytetari duke bërë thirrje të gjithë atyre që hasin probleme të shkruajnë në platformën ‘shqiperiaqeduam.al’.

Për shkak të invaliditetit të tij, pasi kishte humbur dorën e djathtë nga një aksident, Sokoli nga Vlora nuk po arrinte të gjente punë. Atëherë ai vendosi t’i drejtohej platformës.

“Jam Sokol Kalemi 37 vjeç i martuar dhe kam një vajzë 5 vjeç. Jam invalid, nuk e kam dorën e djathtë. Deri dje kam mbijetuar pasi kam punuar operator në një loto. Jetoj me një shtëpi me qira në kushte të vështira ekonomike. Kërkojë një punë ose një pension, pasi unë kam familjen për të mbajtur, si kryefamiljarë që jam. Me besimin tek ju, uroj që rasti im të zgjidhet”, iu drejtua Sokol Kalemaj platformës.

Sokoli shpjegon se “para 20 vitesh kam pësuar një aksident dhe jam invalid. Pas kësaj kam pas edhe një problem të madh me punësimin, s’më punësonin. Në momentet e para më thoni po, por kur vinte puna që shfaqja problemin nuk më kthenin përgjigje pozitive. Ndenja 7 muaj pa punë. E di ç’farë do të thotë për një familjar 7 muaj pa punë, me shtëpi me qira, shumë e vështirë”..

“Atëherë u detyrova të shkruaj te platforma shqiperiaqeduam.al”, tha ai duke shtuar se pas 10 ditësh më erdhi përgjigjja dhe për momentin jam i punësuar te “Kastrati Grup”.

Në fund, Sokoli apelon që të gjithë të mos ngurrojnë por të shkruajnë në platformë pasi do të gjejnë zgjidhje siç e gjeta edhe i duke u punësuar.